“Pranvera e hershme” e futbollit kosovar ia rezervoi një “javë përvëluese” gjyqtarit më të mirë në vend, Genc Nuzës, i cili kaloi disa ditë të mundimshme mes akuzave dhe presionit të opinionit futbollistik pas sfidës Vushtrria-Drita.
Mos-dhënia e kartonit të kuq për portierin e Dritës, Goran Tafilovskin dhe më pas anulimi i golit të Vushtrrisë nga ajo goditje dënimi, bënë që Nuza të akuzohet pas ndeshjes për gjykim tendencioz jo vetëm nga vushtrriasit por edhe nga disa klube tjera elitare.
Në një intervistë ekskluzive për Gazetën Olle, Nuza ka vendosur të thotë “mjaft” duke folur gjerë e gjatë për vendimet e tij, akuzat që mori dhe presionin që po iu bëhet bilbilave të Superligës.
Si i komenton Nuza akuzat e shpeshta për “ndihmë të Dritës” dhe cili është mesazhi i tij për klubet elitare? Ai ka përgjigjje për të gjitha.
Ishin ditë të nxehta për ju pas ndeshjes Vushtrria-Drita. Shumë akuza e shumë presion. Si e përjetove këtë situatë?
Genc Nuza: “Vetë jeta jonë si gjyqtarë futbolli është me presion dhe në shumicën e rasteve ka akuza pa bazë. Pas ndeshjes vërtetë kishte shumë komente dhe akuza në drejtimin tim, por mendoj që shumica e këtyre akuzave ishin të padrejta, duke marrë parassyh që edhe ne gjyqtarët jemi njerëz dhe mund të gabojmë. Futbolli është një lojë ku gabojnë të gjithë, duke filluar nga kryesitë, trajnerët, lojtarët e edhe gjyqtarët. Të gjithë jemi humanë dhe gabimet duhet të merren si njerëzore, e jo menjëherë me akuza pa argumente”.
A ka pasur kërcënime private?
“Asnjëherë nuk kam marrë kërcënime private. Ka pasur ndonjë koment nga ndonjë adhurues të ndonjë skuadre, por nuk i kam marrë për bazë pasi që nuk ishin serioze”.
Të flasim pak për ndeshjen. Ndërhyrja e Tafilovskit ishte brutale dhe ai ishte edhe futbollist i fundit. Pse nuk e ndëshkove me karton të kuq? A e ke pasur pamjen e qartë dhe a ka mundur të të ndihmojë edhe asistenti?
“Për ndeshjen në Vushtrri, unë me asistentët kemi bërë të gjitha përgatitjet si në çdo ndeshje tjetër, për t’u future me qëllimin e vetëm që të gjykojmë në bazë të rregullave të futbollit. Te rasti i Tafilovskit ka pasur shumë opinione, por jo një analizë që do të tregonte të vërtetën. Fillimisht unë nuk kam pasur pozitë të mirë për të parë rrezikshmërinë e ndërhyrjes. Lojtari i Vushtrrisë ishte me shpinë nga unë dhe ishte e pamundur të shihja këmbën e ngritur të portierit. E kam dhënë karton të verdhë sepse gjykova që portiere ndali një sulm premtues. Me rregullore është i verdhë dhe ende jam i mendimit që ka qenë mohim i një aksioni premtues, por jo mohim për shënimin e golit, sepse shihet që lojtari nuk e ka topin në posedim. Sinqerisht, ndërhyrjen e rrezikshme e kam parë në pamjet televizive sepse e kisha të pamundur ta shihja në fushë. Edhe asistenti e kishte të njëjtën bindje te ky rast, kështu që ishte lëshimi i vetëm i ndeshjes”.
Sa i përket golit të goditjes së dënimit, është e qartë që në rregullore thuhet se futbollisti s’guxon të qëndrojë në barrikadën kundërshtare. Mirëpo a është dashur t’i paralajmërosh dy lojtarët e Vushtrrisë, siç ndodh shpesh në ndeshjet evropiane?
“Me rregulloren e re që ka nisur të aplikohet në këtë edicion, goli është dashur të anulohet sepse lojtari i Vushtrrisë është në mur. Kur në mur janë tre ose më shumë lojtarë, kundërshtari duhet të qëndrojë larg murit një metër. Më vjen mirë që disa që nuk e kanë ditur këtë rregull, tash e kanë kuptuar. Sa i përket paralajmërimit, ai lojtar fillimisht nuk ka qenë në mur. Në pamjet televizive shihet se para goditjes së topit unë kam dashur të ndalojë goditjen, por futbollisti veproi shpejtë duke e goditur topin dhe më pas e anulova golin, sepse ashtu thotë rregullorja. Ka pasur edhe diskutime për golin e Vushtrrisë, i cili ishte diskutabil, por e kemi pranuar dhe doli të jetë vendim i drejtë”.
A ka pasur presion nga vendësit pas takimit?
“Pas takimit nuk ka pasur presion fare. Kemi përfunduar procedurat si gjithmonë dhe jemi larguar nga stadiumi të qetë. Duhet falënderuar klubi i Vushtrrisë për mikpritje dhe çasje korrekte me gjyqtarët”.
Si i vlerëson akuzat që erdhën nga pala e tretë, pra klubet tjera që nuk ishin të përfshira në ndeshje?
“Nuk do të komentoja fare deklaratat e tyre, sepse ato janë opinione të tyre”.
Në opinion ka pasur akuza se ju gaboni pikërisht në ndeshjet e Dritës dhe në favor të Dritës. A e sheh të udhës të kërkosh falje për takimin e fundit?
“Unë nuk merrem me akuzat e opinionit. Në çdo hap të jetës, parim kryesor e kam të jem i drejtë me njerëzit dhe i drejtë në terrenet e futbollit. Jo Drita, por të jeni të bindur ju dhe të gjithë se Genc Nuza nuk ka teori të ndikohet nga dikush, unë dua drejtësi dhe vetëm drejtësi. Një gjë nuk mund t’iu garantoj, gabimet e gjyqtarëve, sepse ato janë njerëzore. Nuk jam njeri që nuk kërkoj falje, por nuk konsideroj që duhet të kërkohet falje për diçka që nuk është e qëllimshme. Pikërisht Drita nuk i ka fituar shumicën e ndeshjeve ku kam gjykuar unë, ato ndaj Trepçës ’89 (3:1 dhe 1:1), Drenicës (1:1), Feronikelit (0:0) dhe Ballkanit për Kupë ku u eliminua”.
A mendoni që Komisioni i Gjyqtarëve nuk duhet ta delegojë të njëjtin gjyqtar për një skuadër të caktuar në dy ndeshje radhazi?
“Komisioni për Gjyqtarë dhe ai i delegimit janë shumë professional në këtë drejtim. Duke marrë parasysh që Superliga është me 12 skuadra dhe çdo ndeshje është me rëndësi, ndonjëherë është e pamundur që ndonjë gjyqtar të mos i gjykojë ndonjë skuadre dy herë radhazi. Nuk është diçka e jashtëzakonshme dhe ndodh rrallë”.
Duket se na pret një pranverë “përvëluese”, pasi që shumë klube kanë akuzuar gjyqtarët në ndeshjet e para të këtij stinori. Si gjyqtari që gëzoni besimin më të madh nga klubet elitare, cili është mesazhi juaj për ta?
“Edhe kampionatet e kaluara kanë qenë njëjtë, ku fati i gjithë skuadrave është vendosur në javën e fundit. Kjo lë të kuptohet se referimi ka qenë i drejtë. Gjyqtarët janë njerëz dhe normalisht që do të gabojmë, por së bashku me FFK-në, të cilët kanë krijuar kushte për ne, jemi duke punuar për të gabuar sa më pak. Duhet të ketë më shumë respekt për punën tonë dhe të mos akuzohemi pa fakte. Unë do t’i përgjigjem secilës akuzë nëse është e argumentuar. Duhet të na lënë të qenë sepse vërtetë jemi duke u munduar që të referojmë sa më drejtë”.
Prishtinasi është gjyqtari i parë në vend që e ka marrë stemën e FIFA-s, derisa në gjashtë vitet e fundit është shpallur gjashtë herë gjyqtari më i mirë në Kosovë.