Në Britani konfirmohet rasti i parë i një maceje të infektuar me koronavirus

Një mace shtëpiake është diagnostikuar me Covid-19 në Britaninë e Madhe. Ky është rasti i parë i konfirmuar i një kafshe të prekur nga sëmundja e re në këtë shtet. Lajmin e ka konfirmuar qeveria britanike.

Besohet se macja e ka marrë virusin nga pronarët e saj, por tashmë edhe njerëzit, edhe kafsha janë shëruar, shkruan “The Guardian”.

Raportohet se macja ka pasur vetëm simptoma të lehta dhe nuk besohet se ua ka kaluar virusin pronarëve, njerëzve të tjerë apo kafshëve të tjera.

Kryeveterineria britanike, Christine Middlemiss, tha se ende nuk ka dëshmi se kafshët shtëpiake mund ta transmetojnë virusin te njerëzit.

“Ky është një rast shumë i rrallë me kafshë të infektuar deri më tani, që ka shfaqur vetëm shenja të lehta klinike dhe është shëruar brenda pak ditësh”, tha ajo.

Një zëdhënës i qeverisë britanike tha se macja kishte disa simptoma, përfshirë shkurtim të frymëmarrjes dhe një infeksion në hundë që i shkaktonte rrjedhje.

Në mbarë botën është raportuar një numër i vogël i kafshëve të prekura nga Covid-19. Disa raste u shënuan te tigrat dhe luanët në një kopsht zoologjik në Nju Jork.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *