Vedat Muriqi vazhdon ta ketë të paqartë të ardhmen e tij, nëse do të mbetet te Mallorca apo do të largohet.
Sulmuesi kosovar ka dy vite që është pjesë e klubit spanjoll dhe ka shkëlqyer duke qenë lider i kësaj skuadre.
Megjithatë vazhdimisht dalin lajme në mediat spanjolle sa i përket të ardhmes së tij duke u lidhur me klube të ndryshme.
Real Betisi është skuadra e radhës që është futur në garë për transferimin e sulmuesit kosovar.
29-vjeçari pëlqehet shumë nga trajneri i Betis, Manuel Pellegrini i cili i ka kërkuar drejtuesve të klubit transferimin e kosovarit në janar, në mënyrë që ta ketë një armë shtesë në repartin ofensivë.
Edhe pse prizrenasi vlerësohet shumë nga Mallorca, një ofertë prej 20 milionë euro mund ta bëjë skuadrën ishullore që ta lejojnë largimin e tij.
Prizrenasi këtë edicion në 12 ndeshje ka shënuar katër gola dhe ka asistuar në dy të tjerë, derisa përveç Betisit në garë për të është edhe Sevilla.