L’Equipe i gozhdon 3 yjet e PSG-së, Messit i jep notën 4

Lionel Messi, Neymar dhe Kylian Mbappe janë gozhduar nga gazeta e famshme franceze, e cila njihet për vlerësimet e saja të pamëshirshme, për paraqitjet e tyre tejet zhgënjyese në humbjen e Paris Saint-Germainit 2:1 kundër Manchester City në Ligën e Kampionëve të mërkurën.

City e siguroi vendin e parë në Grupin A kualifikues dhe kalimin në rrethin e 16 më të mirëve në Ligën e Kampionëve, pasi e mundi PSG-në, njërin prej favoriteve të garës.

Mbappe e kaloi PSG-në në epërsi herët në pjesën e dytë, por Raheem Sterling e barazoi rezultatin për Cityn, para se Gabriel Jesus ta shënonte golin e fitores me përmbysje 14 minuta para fundit.

Skuadra e Pep Guardiolës e mbizotëroi plotësisht PSG-në, në një ndeshje ku treshja Messi, Neymar dhe Mbappe nuk ia dolën ta shtrinin ndikimin e tyre.

Treshja e famshme e gjigantit francez i pati vetëm dy goditje në portën e anglezëve dhe L’Equipe e veçoi Messin për paraqitje tepër zhgënjyese, duke i dhënë notën 4 nga 10.

Sipas të përditshmes franceze, Messi u mbizotërua plotësisht nga mbrojtësit e City.

“Po, ai e dha pasimin pothuajse vendimtar për Mbappen (golin e shënuar nga ai), po, ai i nisi disa aksione me punën e tij si organizator, por ne kemi të drejtë të presim më shumë nga gjashtë herë fituesi i Topit të Artë, ai duhet të bëjë më shumë në ndërtimin e lojës”, shkroi L’Equipe për Messin.

L’Euqipe nuk i kurseu nga kritikat as Mbappen dhe Neymarin. Atyre ua dha notën 5 nga 10.

Hiç më mirë nuk përfundoi as trajneri Mauricio Pochettino, taktikat e të cilit dështuan plotësisht, sipas gazetës franceze.

PSG-ja u kualifikua tutje pavarësisht humbjes por duhet të pajtohet me vendin e dytë në grup.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *