Ky është serbi që iu bashkua Përfaqësueses së Kosovës

Është serbi i parë që i bashkohet kombëtares së Kosovës U-19.

Është Ilija Iviq nga Graçanica, pjesë e skuadrës së Flamurtarit të Prishtinës.

Selektori Ramiz Krasniqi e ka grumbulluar Iviqin për përgatitje që do të mbahen sot dhe nesër në fushën e 2 Korrikut.

Megjithatë, Ivic nuk do të jetë pjesë e Kosovës U-19 në këtë grumbullim, pasi është marrë nga skuadra e Flamurtarit për përgatitje në Antalia të Turqisë.

Futbollisti serb tash e një kohë është duke stërvitur me skuadrat e grupmoshave të Flamurtarit, derisa drejtuesit e klubit kanë vendosur që t’i ofrojnë kontratë profesionale.

“Të ju tregoj diçka sinqerisht, ne nuk na intereson kombësia, por se a është futbollist i mirë. Ai është një futbollist jashtëzakonisht i mirë”, u shpreh fillimisht trajneri i mirënjohur kosovar.

“Ai e ka gjatësinë e konsiderueshme për pozitën që luan. Por, me leje ai ka shkuar me skuadrën e parë të Flamurtarit, në përgatitje dimërore në Antalia të Turqisë”, tregon më tej Krasniqi.

Pavarësisht mungesës, duke u bazuar në cilësitë që ai posedon, Krasniqi ka thënë se ai do të vazhdojë të jetë pjesë e Kosovës.

“Ai do të jetë pjesë e Përfaqësueses së Kosovës në vazhdim. E kam përcjellur shumë, dhe ai është një futbollist jashtëzakonisht i mirë”, shtoi trajneri i Kosovës U-19, Ramiz Krasniqi për Zëri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *