Kryeministri Albin Kurti ka folur në pritjen që iu është bërë xhudisteve kosovare të cilat në Tokio fituan dy medalje të arta, ai tha se olimpiadën e parë në Rio, Majlinda solli medaljen e parë ndërkaq në të dytën në Tokio, Distria dhe Nora bënë histori.
Kurti ka thënë se Majlinda Kelmendi me sukseset e përkushtimin e saj, e trasoi rrugën për të tjerat, që e përcollën më pas në Tokio.
“Kjo është dëshmi se më përkushtim është gjithçka e mundur. Kampione në tatami, kampione në jetë, kampione në gjithçka. Në Olimpiadën e parë në Rio, Majlinda solli medaljen e parë kurse në Olimpiadën e dytë për Kosovën në Tokio, Distria e Nora bënë histori duke sjellë dy medalje të arta. Medaljet e arta, krahas talentit kërkojnë disiplinë e motivim, taktikë e teknikë të përsosur. Tashmë, të gjithë e dimë emrin e trajnerit të medaljeve olimpike. Ai është trajneri i artë, Driton Kuka që me këmbënguljen e tij, na bëri të gjithëve t’i kthejmë sytë kah xhudo. Tri medalje të arta nga tri gra, për dëshmua barazinë gjinore. Faleminderit vajzave, dhe të gjithëve që punuan për suksesin. Në Rio fituam një medalje, në Tokio dy dhe tani të fillojmë përgatitjet për tri e më shumë medalje në Paris”, ka thënë ai.
Kujtojmë se ekipi i xhudos së Kosovës tashëm ka arritur Prishtinës, saktësisht në sheshin “Zahir Pajaziti”, aty ku i është bërë një pritje madhështore.
Nën organizimin e qeverisë, sheshi është mbushur me njerëz që i kanë ngrohur edhe më shumë zemrat kampioneve, Distria Krasniqit e Nora Gjakovës dhe trajnerit Driton Kuka.