Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka përgëzuar Federatën e Basketbollit të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë për themelimin e “Ligës Unike” të basketbollit, shkruan Zeri.
Ai ka thënë se ky është një hap i madh drejtë zhvillimit të talenteve dhe rrit konkurrencën, derisa shpreson se kjo të vazhdojë edhe në sferat e tjera.
Postimi i Agim Ademit:
Ditë më parë u themelua “Liga Unike” në basketboll ndërmjet Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe Federatës Shqiptare të Basketbollit. Një garë sportive që na afron edhe më shumë si dy shtete. Dëshirat dhe idetë e tilla kanë ekzistuar që një kohë të gjatë, por ja që tani ishte koha më e përshtatshme për jetësimin e një lige të tillë, e cila gëzon mbështetje nga institucionet e të dyja shteteve dhe nga vet kreu i FIBA-s.
Një ligë e tillë sigurisht se ofron mundësi për zhvillimin e talenteve dhe e rrit konkurrencën sportive, por njëkohësisht ndihmon në ngritjen e nivelit të basketbollit në të dyja vendet.
Prandaj, me këtë rast dua të uroj dhe përgëzoj drejtuesit e të dyja federatave, klubet dhe tërë komunitetin e basketbollit të të dyja vendeve për krijimin e Ligës Unike.
Shpresoj që një ditë bashkërendimi ndërmjet dy vendeve tona do të jetë në nivel të tillë në të gjitha sferat jetësore.