Vedat Muriqi ka qenë vendimtar në fitoren e Mallorcës kundër Atleticos Madridit të shtunën në La Liga.
Sulmuesi kosovar ka shënuar nga 11-metërshi golin e fitores 1-0 të ishullorëve, që i kanë dhënë fund një ecurie prej shtatë humbjesh radhazi.
Por veç golit, paraqitja e Muriqit ka qenë mjaft e mirë, duke i dhënë një dorë skuadrës në mbrojtje edhe në lojën në ajër.
Për kosovarin ky ishte goli i tretë me fanellën e Mallorcës, në 9 takime me klubin e tij që pas transferimit në janar në formë huazimi nga Lazio.
Ai ka folur për mediat spanjolle, duke mos e fshehur kënaqësinë për golin.
“Jam shumë i lumtur, veçanërisht për skuadrën. Kemi fituar pas 7 humbjesh radhazi dhe për më shumë ndaj një rivali shumë të fortë si Atletico. E dimë se kjo fitore nuk është e mjaftueshme për të na siguruar mbijetesën, sepse jemi ende në valle. Por të paktën na qetëson disi dhe na mundëson t’i përgatisim më mirë takimet e ardhshme.
“Kemi shtatë finale dhe besoj nëse fitojmë tri prej tyre jam i bindur se do të qëndrojmë në La Liga”, ka thënë Muriqi.
Më pas sulmuesi i Atleticos ka folur edhe për golin e tij.
“Kam një ndjesi mjaft të mirë. Jam shumë i lumtur për golin dhe tri pikët që i dhashë skuadrës. Uroj të vazhdojmë kështu deri në fund”, ka mbyllur ai.