Presidenti i FFK-së, Agim Ademi po qëndron në Doha të Katarit për punimet e Kongresit të FIFA-s. Gjatë ditës së sotme, ai, ka zhvilluar takime të ndara me presidenten e Federatës së Futbollit të Anglisë, Debbie Hewitt dhe presidentin e Federatës turke, Nihat Özdemir.
Në takimin me Hewitt, kreu i FFK-së fillimisht ia shprehu urimet e tij dhe të komunitetit të futbollit në Kosovë për zgjedhjen e saj në krye të Federatës angleze, duke i dëshiruar suksese dhe mbarësi, njofton FFK-ja.
Ademi e njoftoi Hewitt për futbollin në Kosovë, por edhe për grumbullimet që FFK organizon në Angli në kuadër të zbulimit të talenteve me origjinë nga Kosova.
Po ashtu u diskutua edhe për bashkëpunim tek kategoritë e reja, tek futbolli i femrave dhe për përkrahje me shërbime teknike, por edhe për mundësitë e ndeshjeve miqësore ndërmjet dy vendeve.
Ndërkaq, në takim me presidentin e FF të Turqisë, Özdemir u diskutua për realizimin e projekteve të përbashkëta të parapara në memorandumin e nënshkruar vitin e kaluar si dhe për thellimin e mëtejmë të partneritetit.