Përfaqësuesit e disa klubeve të futbollit kosovar janë në pritje të një përgjigjeje për takim nga ministri i sportit, Hajrulla Çeku.
Iniciatorët e takimeve të ditëve të fundit, Tahir Batatina, Avni Haxhiu dhe Shaban Baholli, e kanë vizituar sot Federatën e Futbollit të Kosovës, ku janë pritur nga sekretari i përgjithshëm, Taulant Hodaj.
Njëri prej iniciatorëve, Avni Haxhiu, në një bisedë me “Gazetën Express” zbuloi se çka është diskutuar në zyrat e FFK-së.
Sipas tij, ka kundërthënie mes shtëpisë së futbollit kosovar dhe Ministrisë së Sportit sa i përket dokumentacionit të fundit të dorëzuar nga FFK-ja në MKRS.
“Ne ishim sot në Federatë për t’i argumentuar ato që na thanë dje në Ministrinë e Sportit. Në MKRS na thanë që dokumentacionin e fundit të aplikimit për licencim e kanë marrë qe dy javë. Ndërsa në FFK na informuan që këtë e kanë bërë më 28 shkurt. Në Federatë thonë se dokumentacionin e kanë në rregull, por nuk kanë marrë përgjigje brenda një muaji, siç do të duhej të ndodhte. FFK-ja nuk po mund të marrë informata nga Ministria. Ne i morëm dëshmitë e dokumentacionit të FFK-së”, thekson fillimisht Haxhiu për “Express”.
Ai zbuloi detaje edhe nga takimi i djeshëm i tyre me Fidan Shatrin, kryetar i Komisionit për Licencimin e Federatave Sportive në Kosovë pranë Ministrisë së Sportit.
Haxhiu insiston se klubet po bëhen “viktima” të disa klubeve të tjera që nuk i kanë përmbushur kriteret për licencim.
“Ne u takuam dje me Fidan Shatrin, i cili tha se nuk janë plotësuar dokumentet e nevojshme të Federatës, por që kanë të bëjnë me klubet. Pra, disa klube nuk i kanë plotësuar kriteret, pasi Federata i ka në rregull dokumentet. Kjo na ka penalizuar ne klubeve, pasi nëse një klub s’është në rregull me dokumente, pse duhet të penalizohen klubet tjera!?”, nënvizoi ai për “Express”.
Ndërkohë, Haxhiu dhe të tjerët po presin që ministri i sportit, Hajrulla Çeku t’ju lajmërohet për një takim.
“Po presim mos po reflekton dhe mos po na lajmërohet ministri Çeku për takim, pasi nesër është afati i fundit i mbylljes së vitit fiskal. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë nesër do të shohim se si të veprojmë, për momentin nuk kemi marrë ndonjë hap”, shtoi Haxhiu, sipas të së cilit, klubet do të përjetojnë krizë të thellë nëse nuk u jepen vërtetimet dhe nëse nuk licencohet Federata e Futbollit.
Disa prej tyre, vazhdon ai, e kanë paralajmëruar edhe shuarjen.
Në ditët e kaluara, rreth 20 klube, përfshi këtu një pjesë të vogël të atyre të Superligës, u mblodhën për të kërkuar takim me ministrin e sportit, nga i cili kërkojnë që t’ju jepen vërtetimet e sponsorizimit, që donatorët ta arsyetojnë financimin në sport, për t’u liruar pastaj nga tatimi në fitim.
Sidoqoftë, Ministria e Sportit e ka bërë të qartë disa herë se vërtetimet nuk mund të lëshohen për një Federatë që nuk është e licencuar, në këtë rast as për atë të Futbollit.