Giresse debutoi me një fitore e një barazim, por si e kishte nisur Challandes aventurën te Kosova?

Nismë e mbarë që jep shpresa të mëdha. Kështu mund të përmblidhet me pak fjalë fillimi i aventurës së Alain Giresse si trajner i Kosovës. Trajneri francez mori drejtimin e “Dardanëve” në muajin shkurt, kurse testi i parë ishte një muaj më vonë, kur Kosova do t’i zhvillonte dy miqësore. E para ishte në Prishtinë, në stadiumin “Fadil Vokrri” të enjten e kaluar. Kosova e priti Burkina Fason, e cila në fillim të vitit kishte prekur gjysmëfinalen e Kupës së Afrikës.

Ndeshja e cila u cilësua si jo e lehtë për tanët, doli të ishte festival golash për Kosovën. Alain Giresse udhëhoqi “Dardanët” në fitore 5:0, më të thellën të realizuar ndonjëherë në “Fadil Vokrri”. Pesë ditë më vonë, ishte testi real për ish-mesfushorin legjendar të Francës. Kosova do të takohej me Zvicrën në një miqësore tjetër, fuqinë e 14-të në botë në futboll momentalisht.

“Helvetikët” e kishin arritur kualifikimin në Botëror dhe kërkonin të komponoheshin sa më shumë edhe me trajnerin e ri, Murat Yakin. Ndeshja u mbyll me rezultat 1:1, në një ndeshje ku Kosova udhëhoqi e para dhe shumë lehtë mund ta kishte fituar tërësisht ndeshjen.

Kështu, Giresse e nisi me një fitore e një barazim aventurën te Kosova, por si e kishte nisur paraardhësi i tij, Bernard Challandes?

Fakt interesant është që të dy trajnerët e kanë nisur punën te Kosova me ndeshje miqësore dhe në dy ndeshjet e para, të dy trajnerët ishin ballafaquar nga një herë me Burkina Fason.

Trajneri zviceran kishte marrë drejtimin e Kosovës në fillim të marsit në vitin 2018 dhe ndeshjen e parë e kishte zhvilluar më 24 mars ndaj Madagaskarit, ndeshje që u fitua nga Kosova me rezultat minimal 1:0 falë golit të Edon Zhegrovës. Tri ditë më vonë, Kosova u përballë me Burkina Fason, të cilën e mposhti me rezultat 2:0.

Kjo ishte veç një paralajmërim i asaj që do të ndodhte muajt e ardhshëm. Kosova vazhdoi me paraqitje mbresëlënëse, duke arritur 14 ndeshje pa humbje radhazi (15 me ndeshjen ndaj Letonisë në fund të vitit 2017, para se Challandes të bëhej trajner). Madje, me Challandes iu afruam jashtëzakonisht shumë kualifikimit në Evropian, në eliminatoret e para.

Megjithatë, Kosova dështoi të arrinte kualifikimin fillimisht në Çeki, e më pas edhe në Maqedoninë e Veriut, duke u mposhtur në të dy ndeshjet me rezultat identik, 2:1.

Por, freskia që u pa tek ekipi i Kosovës në dy ndeshjet e marsit me Giresse jep shenja që kualifikimi në një event madhor nuk është larg. Kosova në qershor do të nisë edicionin e tretë në Ligën e Kombeve, teksa gjendet në grupin 2 të Ligës C, së bashku me Qipron, Irlandën Veriore dhe Greqinë. Kosova në qershor do t’i zhvillojë katër ndeshje, dy prej të cilave në “Fadil Vokrri”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *