Presidenti i FSHF-së, Armand Duka është i kënaqur me përgatitjet që po bëhen për organizimin e finales së UEFA Conference League në Tiranë dhe shpreh bindjen se eventi do të jetë një histori suksesi e do t’i japë një imazh të shkëlqyer Shqipërisë.
Në një intervistë për “Radarin Informativ”, kreu i qeverisë së futbollit shqiptar flet për punën që po bëhet, masat e marra për finalen e parë historike të një kompeticioni europian në Shqipëri, pritshmëritë për ndeshjen Roma-Fejnord, si edhe për të gjitha proceset organizative dhe sfidat që paraqet pritja e një aktivitetit madhor europian.
– Zoti Duka, dua një gjykim të parë tuajin për rëndësinë që ka finalja e këtij kompeticion që të zhvillohet në një vend të vogël si Shqipëria, pasi është hera e parë.
– Padyshim ky është një eventet më të rëndësishme të futbollit europian. Janë tre kompeticionet e UEFA-s për klubeve në Europë, Champions League, Europa League dhe Conference League. Është akoma më e rëndësishme që mbahet në Tiranë, sepse është hera e parë që organizohet ky kompeticion dhe do të shënohet në histori se finalja e parë e këtij eventi është zhvilluar në Shqipëri.
– Është hera e parë që ne organizojmë finalen e një kompeticioni të tillë, pra është një event shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe për FSHF-në në veçanti dhe angazhimi padyshim që është maksimal. Në cilën fazë të punës jeni për përgatitjen e aktivitetit, çfarë ka mbetur për t’u bërë ende?
– Deri tani nuk e kisha imagjinuar që do të kishte kaq shumë punë për organizimin e një ndeshjeje europiane. Përgatitjet kanë nisur disa muaj më parë për gjithçka duhet që kjo të jetë një ndeshje perfekte, jo vetëm në stadium, por në të gjithë komponentët që i takojnë organizimit të një ndeshje futbolli, për të pritur jo vetëm futbollistët por edhe të gjithë ato që e kompletojnë këtë ngjarje. Pra, mediat që do të jenë në Tiranë, futbollistët, stafet dhe më të rëndësishmit, tifozët dhe mbështetësit e të dy klubeve. Puna fillon që nga aeroporti, organizimi i punës atje, qëndrimi i tyre në sheshet e Tiranës dhe pastaj përgatitja e stadiumit.
– Cila është pjesa më e vështirë zoti Duka?
– Gjithçka është e rëndësishme, gjithçka do punë, por nuk ka asgjë të pamundur. Duke qenë se punët janë projektuar mirë, janë marrë masat në kohë dhe çdo gjë është sipas planifikimeve dhe sipas grafikëve të përcaktuar e teksa tani çdo gjë udhëhiqet nga ekspertët e UEFA-s. Por një gjë duhet të theksoj, çdo aktor në Shqipëri, duke filluar që nga aeroporti, administrata e tij, specialistët e aeroportit, Policia e Shtetit ka një rol shumë të rëndësishëm, qeveria shqiptare dhe gjithkush janë të angazhuar seriozisht dhe të gjithë kanë vetëm një objektiv: që çdo njeri që të shkelë në Shqipëri të largohet i kënaqur, të largohet me përshtypjet më të mira dhe me mendimin për t’u kthyer jo më për një ndeshje futbolli, por si turist apo si mik i Shqipërisë.
– Ndërkohë, ky është një test shumë i mirë për të parë se sa kapacitet ka Tirana për ta përballuar, sepse është një numër shumë i madh i tifozëve që do të vijnë. Si po duket deri tani, kemi shifra të përafërta se sa miq mund të kemi në Tiranë në ditët në vazhdim?
– Realisht, nuk është se ne kemi eksperiencë për përgatitjen apo për pritjen e një numri kaq të madh vizitorësh të përqendruar në një ditë. Por gjithsesi, duke patur parasysh eksperiencën e atyre që udhëheqin operacionin, pra ekspertët e UEFA-s, mendoj që çdo gjë do të shkojë mirë. Siç thashë duke filluar që nga aeroporti, trafiku në Tiranë dhe të gjithë gjërat janë menduar në detaje, por gjithsesi nuk duhet të harrojmë që janë tifozë, disa prej tyre mbase ultras dhe kujdesi duhet të jetë maksimal për të ruajtur rendin, për të qenë çdo gjë korrekte dhe për të përfunduar mirë dhe ndeshja e futbollit. Mbase pika më e vështirë që mund të kemi në aktivitete të tilla është qarkullimi i dendur, trafiku që mund të krijohet, por gjithsesi me masat që ka marrë qeveria shqiptare, duke e shpallur ditë pushimi dhe një ditë pa makina të mërkurën, unë shpresoj që të mos e kemi dhe këtë problem.
– Është bërë një lloj ndarjeje mesa di të tifozerive, pra italianët do të qëndrojnë të amfiteatri i liqenit dhe tifozët holandezë do të qëndrojnë te pedonalja Murat Toptani. Por meqenëse këta holandezët mbahen pak si më problematikë, pse nuk i nxorët këta jashtë Tiranës?
– Në fakt mbase në numër, duke pasur parasysh që Italia është më afër Shqipërisë dhe shumë italianë do të miksohen me shqiptarët, duke pasur më shumë lidhje kështu që holandezët janë privilegjuar që të jenë në qendër të Tiranës. Por gjithsesi është menduar që të ketë një lloj distance nga qendra deri tek liqeni, që të tifozët e të dy klubeve të mos miksohen dhe të mos ndodhë asnjë incident. Në grumbullime të tilla nuk është e lehtë, por përveç angazhimit maksimal – dhe do të doja të falënderoj të gjithë ata institucione shqiptare që kanë pasur një angazhim maksimal – dhe nga Italia e Holanda do të vijnë policë për të mbikëqyrur tifozët e tyre për të bashkëpunuar me policinë shqiptare. Kjo është një procedurë standarde, pasi edhe ne kur shkuam në Europianin e Francës ishim të shoqëruar nga përfaqësues të policisë për t’u kujdesur për tifozët shqiptarë.
– Meqenëse UEFA është organizatorja, por ama përgjegjësinë e merrni ju, keni bashkëpunuar me qeverinë shqiptare dhe me Bashkinë e Tiranës në veçanti. Me këtë të fundit si ka qenë bashkëpunimi?
– Shumë i mirë me të gjithë. Kanë qenë të angazhuar, të gjithë kanë një objektiv që të jetë një event që të vlerësohet me nota maksimale, sepse këtu flasim për të nderuar Shqipërinë. Nëse diçka ndodh askush nuk do të thotë që i ndodhi Dukës apo i ndodhi filanit, por do thonë që në Shqipëri ndodhi kjo gjë. Të gjithë kemi të njëjtën përgjegjësi, sepse këtu flitet për Shqipërinë.
– Pati disa diskutime në opinionin publik për çmime të jashtëzakonshme të biletave, pa llogaritur edhe çmimet e hoteleve që janë rezervuar të gjithë. A pati një lloj tkurrje të kërkesës për shkak të çmimeve të larta dhe a ka pasur interes nga tifozeria shqiptare? Biletat janë shitur online nga UEFA normalisht.
– UEFA ka ruajtur një lloj standardi dhe biletat e ndeshjes së Tiranës nuk janë të larta në krahasim me ndeshjet e tjera të Champions League dhe Europa League. Më e shtrenjta e kësaj ndeshjeje është 125 euro, ndërsa më e lira 25 euro. Për një kompeticion të niveleve të tilla nuk mund të themi që është çmim i lartë. Mënyra e shpërndarjes së tyre është e tillë që minimizon abuzimin apo influencën e tregut të zi të biletave, pasi ato janë elektronike, nuk mund të kalojnë në shumë duar, sepse në mënyrë automatike bllokohen. Ka masa të shtuara për të eliminuar rritjen fiktive të çmimeve. Sa i përket hoteleve, ka pasur media të tjera ndërkombëtare, por edhe shqiptare, që kanë kritikuar Shqipërinë për rritjen e çmimeve. Normal që të gjithë do të donin që hotelet të kishin të njëjtat çmime, por zakonisht kur kërkesa është më e madhe se sa oferta, çmimet rriten dhe ky nuk është një fenomen që ndodh në Tiranë. Edhe në Paris ku do të zhvillohet finalja e Champions League, nëse shkon sot çmimi e hoteleve janë rreth 5000 euro nata.
– Ndërkohë është bërë një lloj përllogaritje e kostove? Kostot natyrisht që nuk i takojnë Shqipërisë, por përfitimi që ne kemi cili është?
– Kostot vërtetë janë të jashtëzakonshme. Nëse do të shkoni në stadium janë rreth 300 vetë që punojnë dhe që vijnë nga jashtë vendit për specialitete të ndryshme. Dikush për të brenduar, dikush për të rregulluar foninë apo pajisjet e transmetuesve televizivë etj., kështu që kostot janë shumë më të mëdha. UEFA i mbulon kostot e këtyre të ardhurave jo nëpërmjet stadiumit, por nëpërmjet të ardhurave që vijnë nga sponsorët apo të drejtat televizive. Sa i përket të ardhurave që krijon vendi flitet për shifra mbi 100 milionë euro, nuk është se mund të ketë një gjë të llogaritur fiks, por duke pasur parasysh të gjithë të ardhurat që sjellin njerëzit në Tiranë apo biznesi që llogaritet të ndodhë rreth këtij eventi, mund të jenë shifra të përafërta të tilla.
– Ndërkohë, a janë mbyllur të gjitha bizneset në stadiumin “Air Albania”? Pse kaq shpejt dhe ç’mund të ndodhë?
– Stadiumi i është dorëzuar UEFA-s që nga data 15 maj. Çdokush që hyn në stadium duhet të jetë i pajisur me një leje apo bexhë, kështu që edhe bizneset nuk mund të jenë të pranishme, sepse trupat e sigurisë, policia, stjuartët duhet të garantojnë, kontrollojnë dhe të sistemojnë gjithçka që të minimizohen risqet e mundshme. Bizneset që janë rreth stadiumit kanë edhe struktura që duhen larguar dhe nuk mund të hiqen ditën e ndeshjes, kështu që është vepruar në avancë.
– Si është fusha e stadiumit? Më herët është thënë që ka pasur pak probleme fusha, a është në standardet që kërkon UEFA?
– Fusha është në nivelet maksimale të saj. Është kuruar nga ekspertë dhe specialistë shumë të mirë të fushës. Në vlerësimet që bëhen për fushat e futbollit është aktualisht me 5 yje, që do të thotë në nivelet maksimale për të pritur një ndeshje futbolli.
– A mund të na thoni emrat e personazheve VIP nga bota e futbollit që do të jenë të pranishëm në këtë ndeshje?
– Ka shumë personazhe VIP të botës së futbollit, duke filluar nga Presidenti i UEFA-s, presidentë federatash, presidentë klubesh dhe ish-futbollistë të njohur. Mund të përmend disa duke filluar nga Françesko Totti, Antonio Conte, Zibi Bonjek, Luis Figo e shumë të tjerë.
– A është kjo një mundësi e mirë që të kemi tentativa të tjera për të pasur kompeticione të tilla ndërkombëtare në të ardhmen?
– Nuk mund të përzgjidhesh për të organizuar finale çdo vit, sepse janë 55 shtete që duan të gjithë të organizojnë finale, kështu që përveç plotësimit të kritereve ka edhe një lloj radhe, por Shqipëria me infrastrukturën që kemi sot padyshim që do të nisim pas finales do të aplikojmë për të pritur ndonjë event tjetër të tipit kampionat Europian të moshave U-19, sepse ne sot kemi 4 stadiume, që plotësojnë kriteret për të luajtur ndeshje ndërkombëtare, siç janë Kukësi, Elbasani, Shkodra dhe Tirana apo mbase deri në një Europian të moshës U-21. Dhe këto janë evente shumë të rëndësishme, mbase jo kaq sa kjo finale, dhe realisht nuk mendohej që finalja e Conference Leagues do të arrinte të kishte një interes kaq të madh sa ndodhi. Mbase tani shumë nga aktorët filluan të besojnë që ky vërtetë është një kompeticion shumë i rëndësishëm.
– Në fakt përzgjedhja për Shqipërinë si u bë? Se u duk si surprizuese…
– Proceset janë standarde për organizimin e çdo eventi. Federatat e interesuara bëjnë kërkesë dhe marrin pjesë në një garë. Padyshim plotësojnë dosjet për të gjitha kriteret që ka organizimi i një eventi të tillë, duke filluar që nga stadiumi, pastaj kapaciteti i hotelerisë, kapaciteti i aeroportit, aksesimi i stadiumit nga aeroporti, pra trafiku i automjeteve. Të gjitha këto vlerësohen nga administrata e UEFA-s dhe të gjithë kandidatët të cilët kanë aplikuar vijnë në Komitetin Ekzekutiv për t’u votuar. Pas votimit njëri fiton dhe në rastin konkret fitoi Shqipëria.
– Sipas jush kush fiton, Roma apo Fejnordi?
– Finalja gjithmonë është e vështirë, është e paparashikuar, është një ndeshje, janë vetëm 90 minuta. Përveç nivelit sportiv të skuadrave, përveç gjendjes së tyre, varet pak edhe nga fati, sepse ke shumë pak kohë të rikuperosh, nuk është një aktivitet me dy ndeshje kështu që është shumë e vështirë të parashikosh, por duke pasur parasysh që natyrshëm jemi pak më afër Italisë apo që kemi edhe një futbollist tonin në gjirin e Romës, do të doja ta fitonte Roma.