Kombëtarja e Kosovës sot paradite e ka mbajtur stërvitjen e fundit në Kampin Nacional në Hajvali para udhëtimit për në Belfast, për ndeshjen kundër Irlandës së Veriut, në kuadër të Ligës së Kombeve, që zhvillohet, të shtunën, në orën 18:00.
Qendërmbrojtësi dardan, Betim Fazliji, pas stërvitjes ka dhënë opinionin e tij lidhur me përgatitjet e bëra dhe për pritjet e tij rreth përballjes me Irlandën e Veriut.
“Atmosfera gjithmonë është e mirë në kombëtare. Është krenari të luash për kombin tënd. Jashtë stërvitjes kemi atmosferë shumë të mirë dhe harmoni ndërmjet veti, derisa në stërvitje punojmë të disiplinuar dhe e japim maksimumin. Besoj se jemi përgatitur mirë, pasi kushtet kanë qenë shumë të mira. Duam të shkojmë në Belfast me synimin për të dhënë maksimumin. Secili prej nesh është i motivuar për fitore në Irlandën e Veriut. Kundërshtari është i fortë. Është një ekip me fizik të lartë dhe me tempo të shpejtë, pasi luajnë futboll të stilit anglez, por ne jemi përgatitur mirë për këtë lojë dhe i kemi bërë zgjidhjet e duhura se s’i t’i kundërvihemi. Ne shkojmë atje me vetëbesim të lartë dhe duam t’i marrim tri pikë tjera ndaj tyre, ashtu siç i kemi marrë para tifozëve tanë“, ka thënë Fazliji për faqen zyrtare të FFK-së.
Kombëtarja e Kosovës nesër në mëngjes udhëton në Belfast, ku do ta zhvillojë stërvitjen e fundit para ndeshjes së të shtunës.
Ndeshja mes Irlandës së Veriut dhe Kosovës luhet të shtunën me fillim nga ora 18:00.