Elita e basketbollit vjen sonte me kryederbin Sigal Prishtina-Trepça

Elita e basketbollit rikthehet sot me dy ndeshjet e para të javës së 23-të.

Kryederbi i kësaj xhiro luhet sonte në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, mes dy rivalëve të mëdhenj në basketbollin tonë, Sigal Prishtinës dhe Trepçës. Këto dy skuadra së fundi u përballën në Gjakovë në finalen e Kupës, ku fituan mitrovicasit.

‘Xehetarët’ janë liderë me 20 fitore e dy humbje, derisa bardhekaltrit renditen në vendin e tretë me 14 fitore e tetë humbje. Mitrovicasit kanë 15 fitore radhazi në elitë, derisa kanë fituar tri takimet në Superligë ndaj prishtinasve në këtë edicion, që kërkojnë titullin e kampionit.

Peja-Proton Cable Prizreni është një tjetër ndeshje që luhet sonte. Pejanët janë në vendin e dytë me 16 fitore e gjashtë humbje, kurse prizrenasit pas fitores ndaj Sigal Prishtinës janë të motivuar dhe kërkojnë fitoren e radhës, derisa renditen në vendin e shtatë me shtatë fitore e 15 humbje.

Ndërkaq, dy ndeshjet tjera të kësaj xhiro luhen nesër. Istogu që po paraqitet vetëm me vendorë do të ndeshet me Golden Eagle Yllin, ku therandasit shihen favoritë. Istogasit kanë vetëm një fitore e 21 humbje, derisa Ylli numëron 13 fitore e nëntë humbje.

Kjo xhiro mbyllet me takimin mes Vëllaznimit dhe Bashkimit, që është shumë i vlefshëm, pasi kuqezinjtë janë në vendin e pestë me nëntë fitore e 13 humbje, kurse prizrenasit në vendin e gjashtë me tetë fitore e 14 humbje.

Superliga/Java 23

Sot takohen:

19:00 Peja-Proton Cable Prizreni

19:00 Sigal Prishtina-Trepça

Nesër takohen:

17:00 Istogu-Golden Eagle Ylli

19:00 Vëllaznimi-Bashkimi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *