Rangers ka arritur marrëveshje me klubin e Hibernian për të marrë nëpërmjet formulës së huazimit deri në fund të sezonit Florian Kamberin. Sulmuesi pëlqehet nga trajneri i Rangers, Steven Gerrard dhe klubi skocez ka vendosur t’ia plotësojë dëshirën legjendës së Liverpoolit dhe të sigurojë shërbimet e 24-vjeçarit.
Mediet vendase bëjnë me dije se Kamberi është nisur drejt qytetit të Glazgout për të kryer vizitat mjekësore, që do të pasohen nga zyrtarizimi si lojtari më i ri në dispozicion të Gerrard. Si pjesë e marrëveshjes për Kamberin, Greg Docherti do të kalojë nga Rangers te Hibernian.
Kamberi pritet të largohet pas plot tre sezonesh nga Hibernian, ku luajti 67 ndeshje dhe ishte autor i 20 golave. Sulmuesi më parë ka qenë pjesë e Grasshopers në Zvicër dhe Karlsruhe në Gjermani. Ai është i lindur në Zvicër dhe më parë ka luajtur me moshat e kombëtares helvete. Kujtojmë se më parë edhe Eros Grezda ishte nën urdhrat e Gerrard, pa arritur të lërë shenjë, duke u kthyer te Osijeku në Kroaci.