FC Ballkani është njëri ndër pretendentët kryesor këtë edicion për ta fituar titullin kampion dhe DigitAlb Kupën. Madje, ‘portokallinjtë’ kanë mbyllur me sukses vjeshtën në pozitën e parë të renditjes tabelare në Superligë dhe ndodhen në çerekfinale të Kupës, shkruan Gazetasheshi.com.
I gjithë ky sukses ka ardhur pas investimeve të mëdha të bëra nga presidenti i kësaj skuadre Arsim Kabashi, i njohur ndryshe si “Cima”.
Biznesmeni i njohur kosovar ka konfirmuar për mediumin “Insporti” edhe buxhetin të cilin e kanë në dispozicion këtë edicion klubi nga Theranda.
“Buxheti i klubit e kalon shifrën mbi një milion euro. Kjo është një arsye tjetër se pse duhet t’i mbrojmë investimet tona”, deklaroi Kabashi.
Aktualisht skuadra e Ismet Munishit ndodhet në fazën përgatitore në Antalia të Turqisë.
Në afatin kalimtar të janarit kjo skuadër ka bërë tri përforcime. Arbër Prekazi, Rroni Gashi dhe Mirlind Daku i kanë dhënë ‘impuls’ shtesë skuadrës së Ballkanit.
Ndërkohë, nga ekipi largimin e ka konfirmuar vetëm Edmond Turku.