Bernard Challandes e ka quajtur kohën e tij në krye të Kombëtaren se Kosovës si njërën prej përvojave më të mira në karrierën e tij, pasi i ndau rrugët me verdhekaltrit të mërkurën.
Federata e Futbollit e Kosovës njoftoi të martën në një konferencë për media se ka gjetur pajtim me Bernard Challandes për shkëputjen e parakohshme të marrëveshjes.
Trajneri zviceran kishte marrëveshje me Kosovën deri në dhjetor 2022, por epokës së tij në krye të kombëtares dardane i erdhi fundi një vit më herët, pas një fushate tejet dëshpëruese në kualifikime për Kupën e Botës 2022.
Në 28 ndeshje zyrtare me Kosovën, Challandes i arriti 9 fitore, 7 barazime dhe 12 humbje
Duke folur në një konferencë të përbashkët për media me presidentin e FFK-së, Agim Ademi, Challandes tha se ishte kënaqësi e madhe për të ta udhëhiqte Kosovën.
“Ishte kënaqësi e madhe të punoja me këtë ekip, me mbështetjen e Federatës, jam falënderues, gjithmonë kanë pasur besim në mua. Ma kanë bërë punën më të lehtë. Jam i pikëlluar që po ndahemi. Qëllim i përbashkët yni ka qenë që ta ngrisim nivelin”, tha Challandes.
Ai shprehu keqardhje që u nda me Kosovën në një kohë kur rezultatet e ekipit ishin të dobëta.
“Më vjen keq që po ndahem në këtë formë. Ishte njëra prej eksperiencave më të mira në karrierë”, shtoi ai.
70-vjeçri ishte emëruar trajner i Kosovës në mars të vitit 2018 nga ish-presidenti i ndjerë i FFK-së dhe legjenda e futbollit shqiptar Fadil Vokrri.
Challandes ishte trajneri i dytë në historinë e ekipit kombëtar të Kosovës, pas Albert Bunjakit, që prej pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA më 2016.