Kosova po i zhvillon përgatitjet e fundit para ndeshjes së nesërme që e zhvillon me Suedinë në Stokholm.
Para kësaj sfide të rëndësishme kanë folur në konferencën për shtyp, trajneri Bernard Challandes dhe portieri i Kosovës, Aro Muric.
Të dy e kanë cilësuar këtë takim si shumë të fortë por ata janë gati për të marrë më të mirën
“Çdo ndeshje e ka peshën e vet. Edhe ky takim është i rëndësishëm dhe ne jemi gati të japim më të mirën për të marrë rezultat pozitiv. Ne duhet të jemi realistë. Mos të harrojmë se jemi Kosova. Suedia ka luajtur pothuajse çdoherë në Kampionatet Evropiane e Botërore”, ka thënë Challandes.
Ngjashëm mendon edhe portieri Aro Muric sipas të cilin Suedia me ose pa Ibrahimovicin është ekip i fortë, por Kosova do të fokusohet të loja e saj dhe të marrë më të mirën nga ajo lojë.
“Me apo pa Ibrahimovicin, Suedia mbetet skuadër shumë e fortë. Neve na mbetet të bëjmë maksimumin ndaj një skuadre të fortë siç është Suedia”, tha Muric.
Suedia – Kosova luhet nesër nga ora 18:00.