Bashkimi ka shënuar fitore ndaj Golden Eagle Yllit me rezultat 72:78 (23:14, 14:24, 25:21, 10:18), për t’u kualifikuar në finale të Final 8 Kupës së Kosovës.
Therandasit e nisën ndeshjen me një epërsi 10:5 dhe kishte epërsi konstante në çerekun e parë që e fitoi 23:14.
Megjithatë, prizrenasit nuk u dorëzuan dhe barazuan shifrat në 32:32, e më pas edhe duke kaluar në epërsi 32:35, ndërsa shkuan në pushim me shifrat 37:39.
Kampionët e Kosovës e nisën më mirë pjesën e dytë, përkatësisht periodën e tretë, për të kaluar sërish në epërsi 44:39, dhe gjatë gjithë periodës së tretë u zhvillua një lojë shumë interesante, ku të dy skuadrat dhanë maksimumin në parket, kurse shifrat në semafor pas 30 minutash ishin 62:60, duke e bërë sfidën shumë interesante.
Në dhjetë minutat e fundit u zhvillua lojë shumë interesante dhe dramatike.
Sfida ishte e barabartë deri në sekondat e fundit të përballjes, ku Tmusiq nuk shënon për tri pikë dhe këtë e shfrytëzuan prizrenasit që triumfuan me rezultat 72:78, për t’u kualifikuar në finale, ku do të përballet me Trepçën, sfidë që zhvillohet të dielën nga ora 18:00 në ‘Karagaç’ të Pejës.