Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka ka thënë se do të preferonte që shorti për Euro 2024 në vazon e tretë, Shqipërisë t’i takonte që të përballej, ose me skuadrën sllovene, ose me atë serbe.
I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu në “Opinion” në Tv Klan se pse do të preferonte një ndeshje kundër Serbisë, Duka ka thënë se nuk i shikon si një ekip shumë i fortë në futboll në krahasim me skuadrat e tjera në këtë vazo.
“Rregullat e shortit janë të ndara në 4 vazo. Shqipëria është në vazon e dytë dhe do të kemi kundërshtarë nga një nga çdo vazo nga e para, e treta dhe e katërta. Aty nuk ka asnjë skuadër të dobët. Nëse do të nisemi me vlerësimin e skuadrave për nga historia, Shqipëria mund të konsiderohet me më pak rezultate”, ka thënë fillimisht Duka.
“Nga ato skuadrat e vazos së parë që më pëlqen aty është Gjermania. Jo vetëm që bëjmë ndeshjen hapëse, por mund të luajmë më mirë futboll kundër Gjermanisë se sa kundër atyre 5 tjerave, nuk më duket në momentin më të mirë Gjermania. Ata janë shumë të forta të gjitha prandaj”.
“E ke të vështirë t’i zgjedhësh dhe me dorë, kështu që çfarëdo që të sjellë shorti. Nëse do t’i zgjidhje me dorë, unë do të preferoja Gjermaninë tek vazo e parë, Slloveninë ose Serbinë tek vazo e tretë”.
“Unë po flas për futboll sepse nuk ka qenë ndonjë ekip shumë… Këtu janë të gjitha skuadra të forta”, përfundoi i pari i FSHF-së.