Dani Alves pranon se veshja përsëri e një fanelle të Barcelonës do ta bëjë atë të ndihet si një “superhero”, me mbrojtësin brazilian që siguroi një rikthim emocional në stadiumin “Camp Nou”.
Në moshën 38-vjeçare dhe pasi e mbylli një periudhë fillestare tetëvjeçare në Katalunja në vitin 2016, mbrojtësi i djathtë e gjen veten në një mjedis të njohur së bashku me ish-shokun e skuadrës Xavi Hernandez si trajner.
Pavarësisht se po kalon nëpër një seri jo të mirë të rezultateve, Alves mendon se Barcelona vazhdon të mbetet klubi më i mirë në botë, përcjellë KosovaPress.
“Jam ende i shokuar. Siç e kisha thënë publikisht, kisha kohë që përpiqesha të kthehesha. U përpoqa dy herë të kthehesha, por nuk ishte e mundur”, tha Alves për BarçaTV”
“Tani, të kthehem në punë me njerëz që dinë për angazhimin tim brenda dhe jashtë fushës është një kënaqësi dhe një privilegj.”
“Gjithmonë them se janë dy fanella që më bëjnë të ndihem si superhero kur i vesh, bluza e Brazilit dhe e Barcelonës. Të vesh sërish këtë këmishë më jep forcë dhe adrenalinë. Shpresoj se mund t’ua transmetoj këtë bashkëlojtarëve të mi.”, vazhdoi braziliani.
“Kujtimet e mia më të bukura në futboll kanë ndodhur këtu te Barcelona. Shtëpia ime është këtu në Barcelonë, të afërmit e mi më të afërt jetojnë këtu në Barcelonë, kështu që ishte e pashmangshme që të kthehesha në Barcelonë.”
“Surpriza e këndshme është të kthehem si lojtar, por nëse jo, prapë do të isha kthyer në Barcelonë sepse është një qytet magjepsës që e dua. Ne duhet të besojmë se jemi Barcelona, klubi më i mirë në botë. Ndonjëherë tingëllon demagogjike të thuash “është klubi më i mirë në botë”, por unë kam qenë diku tjetër dhe e di se çfarë po them. Ky është klubi më i mirë në botë, Barcelona është unike”, theksoi Alves.