Sot me fillim nga ora 15:00 do të mbahet Kuvendi Zgjedhor i Federatës së Futbollit të Kosovës, ku do të zgjidhen anëtarët e Komitetit Ekzekutiv.
Ka javë e muaj të tërë që po përmendet kjo datë dhe ngjarje në të cilën do të diskutohet rreth ndryshimeve në Komitetin Ekzekutiv, diçka që nuk po i pëlqen shumë të parit të FFK-së, Agim Ademi.
Sipas Ademit në këtë Kuvend nuk pret ndonjë incident eventual, por përmendi faktin se do të ketë sigurim në derën e hyrjes për t’i kontrolluar kuvendarët që për të disa prej tyre nuk janë legjitim.
“Është kuvend zgjedhor dhe jo arenë lufte. Aty do të jenë vetëm anëtarët e sigurimit, të cilët do t’i verifikojnë delegatët. Ky është Kuvend Zgjedhor i anëtarëve të KE-së dhe jo Kuvend i Punës.
Duhet ta dimë se statuti është kornizë e harmonizuar me UEFA-n dhe FIFA-n dhe nuk mund të dalim jashtë tyre. FFK-ja është organ i cili udhëheq me njerëzit e zgjedhur nga klubet dhe ashtu do të vazhdojmë”, tha Ademi për RTK-në.