Trajneri i Drenicës, Gani Sejdiu, është shprehur i zhgënjyer nga disfata me rezultat 2:1 kundër Flamurtarit, duke thënë se lojtarët e tij e nënvlerësuan kundërshtarin dhe tani i humbën tre pikë tejet të rëndësishme.
Flamurtari arriti ta mposhtë në shtëpi Drenicën me rezultat 2:1, në ndeshjen ku u takuan dy klubet të cilat ndodhen menjëherë mbi zonën e rënies nga liga.
Flamurtari e fitoi këtë duel për mbijetesë kundër vendases Drenicës, që javën e kaluar e mori një fitore kundër Llapit, për të cilën u hodhën dyshime për kurdisje.
Flamurtarit ia dhuruan këto tre pikë Shend Kelmendi dhe Adem Maliqi me dy golat e tyre, përderisa Drenica e mbylli ndeshjen me një lojtar më pak, shkaku i ndëshkimit të Edon Pasomas me kartonin e dytë të verdhë dhe rrjedhimisht të kuqin.
Goli i shënuar nga Alban Shillova në momentet e fundit të ndeshjes, nga pika e penalltisë, nuk ishte i mjaftueshëm për Drenicën që të marrë pikë nga kjo ndeshje, rrjedhojë kjo që e la të zhgënjyer trajnerin Sejdiu.
“Ky është një lloj ligji në futboll, kur pas disa sukseseve rrezikon vjen një moment kur të gjithë mendojnë se një ndeshje është më e lehtë sesa që është dhe në fund këto takime dalin të jenë shumë më problematike”, tha Sejdiu për Supersport pas ndeshjes, transmeton Gazeta Express.
“Unë i kam këshilluar lojtarët që kjo ndeshje është vendimtare për ne, por nëse nuk jemi të përqendruar në ndonjë moment dhe mendojmë se kemi shpëtuar nga liga, ne do të dështojmë”.
Sejdiu vazhdoi duke e lavdëruar skuadrën e Flamurtarin për punën që e bënë në këtë ndeshje, duke thënë se ata e kishin të qartë se për çfarë qëllimi kishin ardhur në Skënderaj, para se t’i komentonte edhe gjasat e skuadrës së tij për mbijetesë.
“Kjo është një humbje shumë e keqe, neve na konvenonte edhe barazimi. Por, gjithsesi kjo ndodhi dhe i humbëm pikët dhe tani duhet të gjithë ta marrim me qetësi. Është një humbje e rëndë, por jemi në atë pozicionin kur nuk duhet të hyjmë në panik sepse kjo mund të sjellë më shumë probleme”, përfundoi Sejdiu.