Ylli i Kosovës, Milot Rashica, nuk arriti t’i japë fund ecurisë së dobët para portës – s’ka shënuar gol që 14 ndeshje në Bundesligë, pasi që e humbi një penallti në fitoren bindëse të Ëerder Bremenit kundër Paderborn.
Pasi mungoi në ndeshjen e fundit të Werder Bremenit shkaku i një lëndimi në kyçin e këmbës, Milot Rashica u kthye në fushën e lojës sot, për përballjen mes dy ekipeve në fund të tabelës, raporton Gazeta Express.
Werder Bremeni arriti ta fitojë këtë ndeshje kundër Paderbornit me rezultat bindës 5:1, duke mbajtur kështu gjallë shpresat për mbijetesë, veçanërisht pasi që Fortuna Dusseldorfi u mposht me rezultat 1:0 nga Borussia Dortmundi.
Në këtë fitore të Bremenit, Rashica nuk arriti të kontribuojë aq sa do të kishte dashur dhe e mbylli ndeshjen me notën më të ulët nga e gjitha skuadra e tij, sipas SofaScore.
Pas 59 minutave lojë, kur trajneri vendosi ta zëvendësojë, Rashica e pati vetëm një rast për të shënuar – penalltinë e minutës së 16-të, të cilën e humbi.
Në shtatë ndeshjet e zhvilluara që nga rinisja e kampionatit në Bundesligë, Rashica ka arritur të kontribuojë vetëm me një asist dhe me asnjë gol.