Liga e Parë e Kosovës në futboll sjell sot një përballje të madhe, ku dy skuadrat që aktualisht kryesojnë renditjen, Liria dhe Ferizaj, do të matin forcat në një duel që pritet të zgjojë interesim të madh.
Ndeshja zhvillohet nga ora 13:00 në stadiumin me bar sintetik në Ferizaj, ku skuadra vendase do të kërkojë ta shfrytëzojë faktorin e fushës për t’i shkaktuar humbjen e dytë sezonale liderit të kampionatit.
Liria e Prizrenit vjen në këtë përballje si lidere me 42 pikë pas 17 ndeshjeve të zhvilluara, ndërsa Ferizaj renditet në pozitën e dytë me 33 pikë, po ashtu pas 17 ndeshjeve.
Diferenca prej nëntë pikësh e bën këtë duel edhe më interesant, pasi Ferizaj me një fitore do ta ngushtonte distancën në gjashtë pikë, duke e mbajtur të hapur garën për kreun e tabelës. Në anën tjetër, Liria synon të dalë me pikë të plota nga kjo ndeshje dhe ta forcojë edhe më shumë pozitën e liderit.
Të dyja skuadrat kanë treguar formë të mirë në javët e fundit. Ferizaj vjen pas tri fitoreve radhazi në kampionat, ndërsa Liria është e pamposhtur në pesë ndeshjet e fundit, me katër fitore dhe një barazim.
Edhe statistikat flasin për dy skuadra që kanë ndërtuar një sezon shumë të mirë. Liria ka shënuar 30 gola dhe ka pranuar vetëm shtatë, duke pasur mbrojtjen më të mirë në kampionat, kurse Ferizaj ka realizuar 25 gola dhe ka pësuar nëntë.
Përballja e parë mes këtyre dy skuadrave në këtë edicion, e zhvilluar më 15 gusht, ishte fituar nga Liria me rezultat 2-1.
Tashmë Ferizaj kërkon hakmarrjen sportive dhe tri pikë që do t’i jepnin edhe më shumë besim në garën për kreun, ndërsa Liria synon të dëshmojë se pozita e liderit nuk është e rastësishme.
Gjithçka është gati për një superderbi në Ligën e Parë, ku sot nga ora 13:00 përballen lideri dhe ndjekësi i tij i parë.