Shkruan: Fehmi Sejdijaj
Deklarimi i fundit i ish-sekretarit të Federata e Futbollit të Kosovës, Taulant Hodaj, nuk është as i rastësishëm dhe as i sinqertë. Ai paraqitet si shqetësim për “demokracinë sportive”, por në thelb është një përpjekje e qartë për pozicionim personal, delegjitimim institucional dhe bllokim të proceseve të futbollit të Kosovës, në momentin kur ai vetë nuk i ka numrat dhe mbështetjen reale për të garuar.
Është paradoksale që një ish-zyrtar i lartë i FFK-së, i cili për vite ka qenë pjesë e sistemit që sot e quan “të jashtëligjshëm”, tani sillet sikur nuk ka pasur asnjë rol, përgjegjësi apo përfitim nga ai sistem. Nëse parregullsitë kanë qenë kaq serioze, pse nuk janë ngritur kur ai ishte pjesë vendimmarrëse e federatës? Heshtja e atëhershme dhe zhurma e sotme flasin qartë për motivin real: ambicie personale të vonuara.
Tentativa për ta shpallur Kuvendin Zgjedhor të 5 shkurtit si të paligjshëm, duke u fshehur pas interpretimeve selektive të ligjit dhe duke e instrumentalizuar Ministrinë, nuk është luftë për demokraci por është strategji për bllokim. Futbolli i Kosovës nuk mund të mbahet peng sa herë që një individ nuk i plotëson kushtet apo nuk arrin të sigurojë përkrahje të mjaftueshme.
Veçanërisht shqetësuese është manipulimi i qëndrimeve të UEFA dhe FIFA, duke i përdorur ato si alibi për një narrativ personal. Faktet janë të qarta: institucionet ndërkombëtare të futbollit vazhdimisht kanë theksuar nevojën për mos-ndërhyrje politike dhe stabilitet institucional. Çdo tentativë për t’i futur zgjedhjet e FFK-së në një konflikt juridik dhe politik e rrezikon drejtpërdrejt pozitën ndërkombëtare të futbollit të Kosovës – një çmim që nuk duhet paguar për ambicie individuale.
Po ashtu, pretendimi se kriteret e kandidimit janë “antidemokratike” tingëllon i zbrazët kur vjen nga dikush që për vite ka qenë pjesë e hartimit dhe funksionimit të atyre strukturave. Demokracia nuk ndërtohet duke e shpallur procesin të pavlefshëm vetëm sepse rezultati nuk të konvenon.
Futbolli i Kosovës është ndërtuar me shumë sakrificë: nga klubet, nga komuniteti sportiv, nga institucionet dhe nga mbështetja e UEFA-s dhe FIFA-s. Ta vësh gjithçka në pikëpyetje, të krijosh pasiguri, përçarje dhe tension institucional në prag të zgjedhjeve, nuk është reformë – është shkatërrim i asaj që është ndërtuar me vite.
Ndryshimi, nëse kërkohet sinqerisht, bëhet brenda rregullave, në kohën e duhur dhe me respekt për institucionet, jo përmes presionit publik, viktimizimit personal dhe tentativave për ta futur futbollin në krizë juridike.
Futbolli i Kosovës ka nevojë për stabilitet, vazhdimësi dhe zhvillim – jo për eksperimente personale dhe ambicie të pakontrolluara që rrezikojnë gjithçka që është ndërtuar deri më sot.