Kur faktet flasin vetë, Agim Ademi në Washington, ndërsa pseudo-analistat mbeten pa “argumente”

Në javët e fundit, por jo vetëm, në disa emisione televizive dhe në
rrjete sociale pati komente, analiza të improvizuara dhe konkluzione të pabazuara rreth (mos)pjesëmarrjes së presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, në ceremoninë e shortit të Kupës së Botës 2026. Disa individë që vetëquhen “analistë”, por që nuk kanë as përgjegjësi dhe as informim profesional, nxituan të shpallin “refuzim vize”, “krizë integriteti”, madje edhe “sabotim diplomatik”.

Por sot, faktet flasin më qartë se çdo koment i tyre: Agim Ademi ndodhet në Washington D.C. së bashku me përzgjedhësin Franco Foda. Aty ku zhvillohet ngjarja zyrtare, aty ku përfaqësohet Kosova, aty ku duhet të jetë udhëheqësi i futbollit të vendit.

Kjo e vërtetë e thjeshtë mjafton që të bjerë i gjithë narrativi sensacionalist i atyre që ndërtuan histori mbi supozime dhe jo mbi informacion të vërtetë.

Futbolli kosovar është duke ecur me hapa të qartë drejt rritjes ndërkombëtare. Në këtë rrugëtim, roli i institucioneve dhe përfaqësuesve të tyre është thelbësor. Prandaj, kur disa pseudo-analistë shpërndajnë lajme të pakonfirmuara, ata nuk dëmtojnë individë ata dëmtojnë imazhin e vetë Kosovës.

Asnjë institucion serioz në botë nuk funksionon mbi thashetheme.
As SHBA.
As FIFA.
Dhe padyshim as FFK.

Fakti që presidenti i FFK-së gjendet në SHBA tregon qartë se Kosova ka përfaqësimin e duhur në ngjarjen më të madhe paraprijëse të Botërorit 2026. Ndryshe nga narrativa e atyre që po përpiqeshin të krijojnë krizë aty ku nuk ka, realiteti diplomatik dhe sportiv është i qartë.
Futbolli është sport që bashkon, jo që ndan. Dhe gazetaria sportive duhet të pasqyrojë këtë frymë, duke u bazuar në profesionalizëm dhe verifikim. Përdorimi i nismave të rreme për të goditur institucionet bëhet vetëm prej atyre që kërkojnë vëmendje, jo prej atyre që kërkojnë zhvillim të futbollit, prandaj edhe mediat duhet të kenë kujdes se kujt i japinë hapësirë televizive.
Fakti që Agim Ademi është në Washington demanton çdo tezë të hedhur me javë të tëra për “refuzim”, “ndalim” apo “përjashtim”.

Sot, fakti kryesor është i pakundërshtueshëm:
Kosova përfaqësohet në nivelin më të lartë të futbollit botëror. Kjo është ajo që ka rëndësi për tifozët, për futbollin, për shtetin.
Të gjithë ata që shpërndanë teori të pavërteta duhet të reflektojnë. Jo për hir të një individi, por për respekt të lexuesve dhe të futbollit të Kosovës.

Opinioni ka nevojë për informim korrekt, për gazetari me standarde dhe për një debat publik që nuk ndërtohet mbi thashetheme.
Futbolli kosovar ecën përpara me punë e fakte, jo me pseudo-analiza.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *