Arsenali fiton ndaj Brentfordit dhe ruan distancën me ndjekësit

Arsenali ka shënuar fitore me rezultat 2-0 në shtëpi ndaj Brentfordit në kuadër të javës së 14-të në elitën e futbollit anglez.

Vetëm pas 11 minutash lojë, Mikel Merino hapi rezultatin me një goditje të saktë me kokë, duke u ngritur mbi mbrojtjen pas një krosimi perfekt nga Ben White dhe duke realizuar për 1-0.

Brentfordi iu afrua barazimit në minutën e 21-të, kur Kevin Schade goditi bukur me kokë pas një pasimi të lartë preciz, por David Raya reagoi në mënyrë fantastike, duke e devijuar topin në traversë dhe duke e larguar rrezikun.

Në fund të pjesës së parë, Arsenali u detyrua të bënte një ndërrim të detyruar, pasi Cristhian Mosquera u largua i dëmtuar dhe vendin e tij e mori Jurrien Timber.

Pjesa e dytë nisi me ritëm të lartë, dhe në minutën e 69-të, Merino pati mundësinë e artë për të dyfishuar rezultatin. Mesfushori spanjoll duhej vetëm ta devijonte topin drejt portës nga shumë pranë, por gjuajtja e tij shkoi jashtë dhe Brentfordi u shpëtua.

Në minutën e 65-të, Yegor Yarmolyuk u ndëshkua me karton të verdhë pas një ndërhyrjeje të ashpër, një prej momenteve që tregoi tensionin e ndeshjes ndërsa Brentfordi kërkonte barazimin.

Pavarësisht përpjekjeve të Brentfordit, Arsenali arriti ta menaxhojë mjaft mirë epërsinë madje duke realizuar edhe golin e dytë në minutën e 91-të me Bukayo Saka për 2-0.

Me këtë fitore ‘Topçinjtë’ shkojnë në kuotën e 33 pikëve dhe udhëheqin tabelën me pesë më shumë se Manchester City në vendin e dytë që ka 28 sosh./Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *