Agim Ademi takon Arbër Zenelin, futbollistin që dikur ishte yll te Kosova

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka takuar të enjten në mbrëmje Arbër Zenelin, sulmuesin që dikur ishte yll te Kosova.

Zeneli, tani 30-vjeçar, është futbollist i Elfsborgut në elitën e futbollit suedez.

Bashkë me të në takim ishte edhe babai Arbërit, Avni Zeneli, si dhe menaxheri i Përfaqësueses së Kosovës, Bajram Shala. Arbër Zeneli ishte lënduar në gjurin e këmbës së djathtë në muajin qershor të vitit 2019 në ndeshjen eliminatore për “Euro 2020” ndaj Malit të Zi. Deri para lëndimit, Zeneli me golat e tij fitoi zemrat e shumë tifozëve të Kosovës. Ai ishte prej më të mirëve, por më pas pësoi rënie në karrierë. Ai ka 33 paraqitje për Kosovën, ndërsa ka kontribuuar me nëntë gola e katër asistime.

“Sot pata kënaqësinë të takoj një futbollist të jashtëzakonshëm dhe një djalë fantastik, anëtarin e ekipit tonë kombëtar, Arbër Zenelin. Me Arbërin folëm për karrierën e tij, rikuperimin pas lëndimit, kthimin në nivelin elitar, por edhe evokuam kujtime nga ndeshjet dhe paraqitjet e tij të paharrueshme me ekipin kombëtar, me shpresën se së shpejti do të jetë sërish pjesë e kombëtares sonë. Arbëri mbetet një aset i çmuar për Kosovën”, ka shkruar Ademi të enjten mbrëma.

Zeneli në edicionin aktual me Elfsborgun ka shtatë paraqitje, me një gol të shënuar e një asistim.

Te Kosova ka luajtur edhe vëllai i vogël i Arbërit, Besfort Zeneli. Por, ai ka vendosur që në nivelin e seniorëve të vazhdojë me Përfaqësuesen e Suedisë.

Kosova më 10 tetor do të luajë dy ndeshje kualifikuese të Botërorit 2026, ndaj Sllovenisë në “Fadil Vokrri” në Prishtinë, dhe ndaj Suedisë në Goteborg, më 13 tetor.

Arbër Zeneli në të kaluarën ka luajtur për grupmoshat e reja të Suedisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *