Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka mirëpritur sot në ambientet e këtij institucioni vëllezërit Fadil dhe Xhevdet Muriqi, dy figura të shquara të gjeneratës së artë të KF Prishtina. Vizita e tyre vjen pas dy vitesh, ndërsa u shoqëruan edhe nga bashkëlojtari i tyre i dikurshëm, Abdyl Bellopoja, i cili tash është kryetar i Komisionit të Garave të Superligës dhe Ligës së Parë.
Ademi e cilësoi takimin si shumë të veçantë, duke theksuar rëndësinë që kanë vëllezërit Muriqi për historinë e futbollit në Kosovë.
“Sot pata kënaqësinë që, pas dy vitesh, të mirëpres sërish në vizitë në FFK, dy emrat e shquar të gjeneratës së artë të KF Prishtina, vëllezërit Fadil dhe Xhevdet Muriqi, të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e futbollit tonë. Takimet me vëllezërit Muriqi janë gjithmonë të veçanta, sepse përveç kujtimeve të bukura, ato sjellin edhe reflektim mbi rrugën që ka kaluar futbolli ynë nga periudhat sfiduese e deri tek progresi i sotëm”, tha Ademi në një postim në rrjetet sociale.
Ai shtoi se vëllezërit Muriqi e përgëzuan FFK-në për punën e bërë në zhvillimin e futbollit dhe për përparimin e vazhdueshëm të Kombëtares së Kosovës.
“Vëllëzërit Muriqi i falënderova sinqerisht për këtë vizitë dhe për dashurinë që vazhdojnë ta tregojnë ndaj futbollit të Kosovës, duke iu dëshiruar pushime të këndshme në vendlindje”, u shpreh presidenti i FFK-së.
Vëllezërit Fadil dhe Xhevdet Muriqi konsiderohen ndër figurat më të rëndësishme të futbollit kosovar, të cilët me kontributin e tyre kanë lënë gjurmë në historinë e klubit më të madh të vendit, KF Prishtina, bashkë me pjesën tjetër të asaj gjenerate të cilës i printe Fadil Vokrri.