Më 13 maj 2016, futbolli kosovar shënoi një nga ditët më historike në rrugëtimin e tij, pranimin si anëtare e plotë e FIFA-s.
Kjo ndodhi në Kongresin e 66-të të FIFA-s, të mbajtur në Meksikë, ku Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) u pranua me votim të hapur nga 141 shtete anëtare, ndërsa 23 ishin kundër.
Ky vendim erdhi vetëm disa ditë pasi Kosova ishte pranuar edhe në UEFA, më 3 maj 2016, dhe i hapi rrugë pjesëmarrjes së kombëtares në garat ndërkombëtare zyrtare nën ombrellën e FIFA-s dhe UEFA-s.
Dita e pranimit në FIFA ishte një moment krenarie dhe emocioni të thellë për të gjithë komunitetin e futbollit në Kosovë, duke shënuar përfundimisht daljen nga izolimi ndërkombëtar dhe hapjen e një epoke të re për zhvillimin e sportit në vend.
Në Kongresin e 66-të të FIFA-s në Meksikë kishin marrë pjesë vetëm legjenda tanimë i ndjerë Fadil Vokrri dhe Flamur Bunjaku që në atë kohë ishte anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së.
E për nëntë vjetorin e pranimit në FIFA të Kosovës ka shkruar presidenti i FFK-së, Agim Ademi.
Shkrimi i plotë nga Agim Ademi:
Sot shënojmë një nga datat më të rëndësishme në historinë e sportit dhe shtetformimit tonë – 13 majin 2016, ditën kur Kosova u bë zyrtarisht pjesë e FIFA-s në Kongresin e mbajtur në Meksikë. Janë bërë plot nëntë vjet që nga ajo ngjarje historike, që mbetet thellë në kujtesën e çdo njeriu që besoi dhe kontribuoi për ta bërë këtë ëndërr realitet.
Ky rrugëtim nisi në rrethana të vështira, me hapa të guximshëm dhe shumë sakrificë. Nga puna vizionare e Agim Bytyqit dhe bashkëpunëtorëve të tij në kohën e okupimit, te rezistenca e palëkundur nën drejtimin e Rexhep Abdullahut, më pas mbijetesa e futbollit nën udhëheqjen e Sabri Hashanit dhe deri te periudha e lavdishme e ndërkombëtarizimit me Legjendën Fadil Vokrri në krye – të gjitha këto faza ndërtuan themelet e fuqishme mbi të cilat qëndron sot futbolli ynë.
Pas nëntë vjetësh si anëtare e barabartë e familjes më të madhe të futbollit botëror, Kosova është shndërruar në një histori suksesi. Me përkrahjen e UEFA-s e FIFA-s dhe me angazhimin e palodhur të të gjitha strukturave të FFK-së, kemi arritur të zhvillojmë futbollin në të gjitha nivelet – nga grupmoshat, te futbolli i femrave, infrastruktura moderne e deri te ngritja e standardeve profesionale.
Kjo ditë është edhe një moment reflektimi dhe mirënjohjeje për të gjithë ata që dhanë kontribut ndër vite – futbollistë, trajnerë, drejtues klubesh, administratorë, donatorë dhe partnerë ndërkombëtarë. Një falënderim i veçantë për presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, për mbështetjen e vazhdueshme e të sinqertë ndaj vendit tonë.
Jam veçanërisht i nderuar që pikërisht sot, në këtë përvjetor të rëndësishëm, ndodhem në Paraguai për të përfaqësuar Kosovën në Kongresin e 75-të të FIFA-s – një moment që pasqyron më së miri rrugëtimin tonë të jashtëzakonshëm dhe pozitën e merituar që kemi fituar në skenën ndërkombëtare të futbollit.
Në emër të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, uroj gjithë komunitetin e futbollit dhe qytetarët e Kosovës për këtë përvjetor të veçantë. Të bashkuar, do të vazhdojmë të ndërtojmë një Kosovë të fortë – në fushën e gjelbër dhe përtej saj.
Vazhdojmë me krenari e përgjegjësi – bashkë për futbollin!
Me respekt,
Agim Ademi
President i FFK-së.