Kombëtarja e Shqipërisë ka barazuar me Ishujt Faroe, në ndeshjen e fundit kualifikuese për Euro 2024, barazim që i mjaftoi të mbyllte kampanjën kualifikuese në pozitën e parë në Grupin E.
Kuqezinjtë barazuan pa gola 0:0 me Ishujt Faroe, në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.
Shqipëria ishte më dominuese në fushë, duke krijuar disa raste shënimi. Rastin më të mirë për Shqipërinë e pati sulmuesi, Mirlind Daku në kohën shtesë të pjesës së parë, kur dështoi të realizonte i vetëm me portierin.
E rrezikshme në disa raste u tregua edhe kombëtarja mysafire.
Stadiumi “Air Albania” ishte i stërmbushur me tifozë të cilët i dhanë përkrahje maksimale ekipit kombëtar shqiptar.
Shqipëria siguroi pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian të premten e kaluar, kur barazoi 1:1 me Moldavinë.
“Shqiponjat” me këtë barazim siguruan pozitën e parë në Grupin E me 15 pikë. Po aq pikë ka grumbulluar edhe Çekia që siguroi tek sonte kualifikimin.
Polonia është e treta me 11 pikë, duke dështuar të kualifikohet në Evropianin 2024. Moldavia mbylli ciklin në vendin e katërt, ndërkohë Ishujt Faroe janë të fundit me dy pikë gjithsej.