Pasi që e siguroi trofeun e Premier Ligës, Manchester City ka fituar trofeun e dytë të këtij sezoni, atë të FA Cup.
Në garën për ta fituar këtë trofe, City e mposhti në finale të FA Cup rivalin e qytetit, Manchester United.
Pas plot 90’ minutave lojë të zhvilluara në stadiumin “Wembley” u shënuan tre gola, ku City e mposhti Unitedin me rezultat të ngushtë 2:1.
Heroi i Cityt padyshim ishte mesfushori Ilkay Gundogan, i cili shënoi që të dy golat, fillimisht në minutën e 1’ e më pastaj në minutën e 51’.
Ndërkaq, golin e nderit te United e shënoi Bruno Fernandes nga penalltia në minutën e 33’ të ndeshjes.
City tani do të synojë ta fitojë edhe trofeun e Ligës së Kampionëve, ku do të përballet për të në finale me Interin, që ta mbyll këtë sezon duke fituar tripletën.