Prishtina e ka mundur 3:0 Drenicën në takimin e parë gjysmëfinal në Kupën e Kosovës të martën, në atë që ishte ndeshja e parë në futbollin kosovarë pas një pushimi të gjatë detyruese për shkak të pandemisë koronavirus.
Ahmet Januzi dhe Meriton Korenica i shënuan golat e triumfit për t’i dhënë Prishtinës një epërsi të qëndrueshme në Fadil Vokrri në kryeqytet, para ndeshjes së kthimit pas dy javëve në Skenderaj, raporton GE.
Kjo ishte ndeshja e parë në futbollin kosovar pas rreth tre muajve pushimi të detyruar për shkak të Covid-19, virusit tejet ngjitës me të cilin janë prekur mbi 1.100 persona dhe kanë vdekur 30 veta në gjithë vendin.
Januzi shënoi për epërsinë e parë të bardhekaltërve në minutën e 28-të, falë një gabimi trashanik në mbrojtjen e Drenicës.
Dy minuta para se skuadrat të shkonin në pushimin mes pjesëve, Januzi e dyfishoi epërsinë e kryeqytetasve.
Skuadra e Armend Dallkut e shtriu dominimin mbi vizitorët që prej fillimit të takimit dhe ka mundur të fitonte me rezultat shumë më të thellë sikur mos të ishte për portierin Ymeri, i cili me pritjet e tij ua mohoi golin shumë herë bardhekaltërve.
Drenica ka mundur ta shënonte një gol shumë të rëndësishëm në udhëtim, por dështoi nga penalltia dy minuta para fundit.
Në minutën e 90-të, Korenica realizoi me kokë për 3:0 pas një harkimi nga Jazuni.
Ndeshja e kthimit do të zhvillohet më 17 qershor në Skenderaj.
Në gjysmëfinalen tjetër takohen Ballkani dhe Feronikeli, e cila do të zhvillohet nesër./Gazeta-Topi/