Arbëria ka shënuar sot arritjen më të madhe në historinë modeste të klubit.
Kuqezinjtë e themeluar më 1977, në edicionin e ardhshëm do të luajnë për herë të parë në histori të klubit në garat elitare të futbollit kosovar, përcjellë Olle.
Arbëria ishte në vendin e dytë pas ndërprerjes së kampionatit me 36 pikë, katër më pak se vendi i parë, Besa dhe pesë më shumë se ndjekësi i parë, Liria.
Kësisoj, Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës vendosi për ngritjen e Besës dhe Arbërisë në Superligë, meqë ishin në pozitat që në fund të edicionit do t’i ngritnin ekipet aty.
Në faqen zyrtare, Arbëria ua ka uruar tifozëve inkuadrimin në Superligë, duke e vlerësuar historike këtë arritje.
Arbëria ndeshjet si vendëse i zhvillon në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan.