Trajneri Stefano Pioli e pranon se Milani e bëri një tjetër hap prapa në luftën për titull të kampionit.
“Rossoneri” barazuan me Torinon e Mërgim Vojvodës dhe Etrit Berishës pa gola mbrëmë duke mbetur dy pikë përpara Interit, por që “Nerazzurri” e kanë një ndeshje më pak të zhvilluar dhe me një fitore eventuale mund ta marrin primatin.
E Tash, trajneri italian është i vetëdijshëm se ekipi i tij nuk i ka punët mirë.
“Tash mund të thoni se favorit është Interi, por ne besojmë”, deklaroi Pioli për “DANZ” pas lojës, për ta komentuar më pas ndeshjen me “Granata”.
“Nuk e kishim freskinë dhe shkëlqimin. Nuk krijuam shumë, por në disa raste kemi mundur të jemi më të rrezikshëm. Ishte një ndeshje e vështirë ndaj një skuadre të papërshtatshme. Është një rezultat pozitiv, por është duke na munguar fitorja. Duhet të vazhdojmë kështu, por duke e ditur se mund të bëjmë më mirë”, shtoi ish-trajneri i Interit.
Sipas tij, gjithçka mund të vendoset në xhirot e fundit pasi në Serie A ka një ekuilibër të madh.
“Jemi duke shkuar fort qe një kohë, i kemi resurset për të bërë mirë deri në fund. Çdo javë ndryshon favoriti, duke i dëgjuar komentet e gazetarëve. Tash do të jetë Interi, por është një kampionat i ekuilibruar. Ne besojmë, nuk jemi komplet të kënaqur me barazimin, por do të gjejmë zgjidhje të tjera. Duam të qëndrojmë aty deri në fund”, përfundoi Pioli.