Aktualisht në vendin tonë janë të infektuar me koronavarus 856 persona, 490 prej tyre janë shëruar ndërsa 22 kanë vdekur.
Në komunën e Vushtrrisë, Gjakovës, Skenderajt, Klinës, Drenasit dhe Obiliqit, tashmë janë shëruar të gjithë pacientët që ishin të prekur me koronavirus.
Nga këto qytete, në Vushtrri e Gjakovë ka vdekur nga një person si pasojë e koronavirusit.
Në komunën e Skenderajt, 6 rastet që kanë qenë me koronavirus, që të gjitha tashmë janë shëruar. Kjo është konfirmuar për lajmi.net nga Leutrim Sahiti, këshilltari i kryetarit të kësaj komunë, Bekim Jasharit
“Po të gjitha rastet në komunë tonë tashmë janë shërua”, ka thënë Sahiti.
Ndërsa, në komunën e Vushtrrisë kanë qenë të infektuar 24 persona, prej tyre 23 janë shëruar dhe një ka vdekur.
Kjo u bë e ditur nga Drejtori i Shëndetësisë në komunën e Vushtrrisë, Sylejman Meholli.
“Të dashur qytetarë të Komunës së Vushtrrisë, jam i lumtur të ndaj me ju lajmin se tashmë është shëruar pacienti i fundit pozitiv në Covid-19 nga komuna jonë”, ka shkruar ai në Facebook.
Edhe 16 rastet me koronavirus në komunën e Gjakovës tashmë janë shëruar. Kështu ka bërë të ditur kreu i kësaj komune Ardian Gjini.
“Sipas informatës së fundit, të gjithë personat e ritestuar nga komuna e Gjakovës kanë dalur negativ ndaj Covid-19. Kjo do të thotë se aktualisht në komunën tonë nuk ka të infektuar. Ky është lajm shumë i mirë për Gjakovën dhe të gjitha institucionet dhe individët e përfshirë në menaxhimin e pandemisë meritojnë lëvdata dhe falënderime”, ka shkruar Gjini në Facebook.
Po ashtu, edhe në komunën e Klinës janë shëruar të pesë rastet që kanë qenë me Covid.
Ndërsa, në komunën e Drenasit kanë qenë dy raste me Covid-19, dhe të dyja rezultojnë të shëruara.
Edhe një rast që ka qenë në Obiliq, tashmë është shëruar.
Ndërkohë, përparim i madh është shënuar edhe në qytetet si Ferizaj, Malishevë e Prishtinë, vatra të mëdha.