Shefi i gjyqtarëve italianë, Nicola Rizzoli, ka reaguar ashpër duke i hedhur poshtë akuzat e një ish-prokurorit të Federatës së Futbollit të Italisë se audio incizimi i VAR-it nga një ndeshje kontroverse mes Interit dhe Juventusit në vitin 2018 është zhdukur, duke thënë se një incizim i tillë nuk kishte ekzistuar kurrë.
Giuseppe Pecoraro, ish-prokurori i Federatës së Futbollit të Italisë (FIGC), tronditi ditë më parë kur tha se e kishte kërkuar audioincizimin e bisedës mes gjyqtarit Daniele Orsato dhe VAR-it për kartonin e dytë të verdhë të mundshëm për Miralem Pjanicin, por audioincizimi mungonte nga dosja që ia kishin dërguar, transmeton GE.
Ai takim ishte vendimtar në garë për titull në sezonin 2017/18 në Serie A, mes Napolit të Maurizio Sarrit dhe Juventusit të Massimiliano Allegrit.
Juventusi e mposhti Interin me rikthim 3:2 në San Siro më 28 prill 2018 dhe më vonë e kaloi Napolin në renditje dhe u shpall kampion i Italisë.
Pothuajse të gjithë u pajtuan se Miralem Pjanic ishte me fat që nuk e mori kartonin e dytë të verdhë për një faull në Rafinhan, veçanërisht duke ditur se Matias Vecino ishte përjashtua nga loja direkt me karton të kuq.
Por Rizzoli thotë se vetëm në raste të caktuar incizohen bisedat mes gjyqtarit kryesor dhe VAR-it.
“Është më rëndësi ta sqarojmë këtu dhe mos të shkaktojmë më shumë huti. Protokolli thekson se vetëm disa biseda të caktuara incizohen dhe ato nuk bëhen nga gjyqtarët, por nga ekonomati teknik i Ligës, i cili i vë këto incizime në dispozicion të AIA (Shoqatës së Gjyqtarëve), nëse ata duan t’i përdorin ato për qëllime mësimore”, tha Rizzoli.
“Vetëm pesë apo gjashtë prej tyre në një ndeshje incizohen dhe më pas mund të shkarkohen për t’i përdorur për mësimin e gjyqtarëve rreth incidenteve”, shtoi ai.
“Pecoraro e kërkoi incizimin e gjithë ndeshjes, por kjo nuk ekziston për asnjë ndeshje të Serie A. Askush nuk e ka një incizim të tillë, nuk ka ekzistuar kurrë prandaj nuk kush t’ia japë atij”, theksoi ai.