Diskutime nga më të ndryshmet, vetëm e vetëm që futbollit të rikthehet. Skenar për t’u luajtur në Australi, skenar për t’u luajtur në disa stadiume, shanse që VAR të mas përdoret, ndërkohë që edhe numri i zëvendësimeve mund të bëhet nga tre në pesë. Ky është futbolli në kohë pandemie.
Gjithçka e dalë nga media dhe ende nuk ka një zyrtarizim deri më tani. Premier League pret autoritetet, ndërkohë që së fundmi është zbuluar një tjetër skenar, i çuditshëm dhe që me shumë mundësi do të bëjë bujë. Gordon Taylor, kreu i Shoqatës së Futbollistëve Profesionistë (PFA) ka rritur shanset për një ndryshim rregulloreje.
Bëhet fjalë për kohëzgjatjen e ndeshjeve, që mund të mos jenë 90-minutëshe deri në mbyllje të këtij sezonit. “Ka propozime që janë paraqitur, për më shumë zëvendësime, mundësinë që ndeshjet të mos jenë nga 45 minuta, ose zhvillimeve i ndeshjeve në fushë neutrale”, është shprehur Taylor mes te tjerave.
Mbetet të shihet se si do të pritet nga komuniteti i futbollit, trajnerët dhe lojtarët, diçka e tillë. Synohet që të shmangen dëmtimet, ndërkohë që dihet se edhe futbollistët kanë kohë pa stërvitje dhe fizikisht do të vuajnë nëse futbolli do rikthehet.