Pavarësisht dëshirave, zërave, përgënjeshtrimeve dhe ëndrrave që prej disa javësh alternohen me njëra-tjetrën e ardhmja e Lionel Messit vazhdon të lidhet ngushtë me Interin.
I fundit që i është shtuar listës së atyre personave që e shikojnë të ardhmen e yllit argjentinas me fanellën zikaltër është Jose Morais ish-zëvendësi i Jose Mourinhos në kohën kur drejtonte Interin.
“E ardhmja e Messit do të jetë te Interi. Prania e Zanettit në bordin drejtues të klubit zikaltër do të jetë përcaktuese në këtë transferim”, është shprehur Jose Morais për gazetën katalanase El Mundo Deportivo.
Një parashikim ky që i bën të ëndërrojnë tifozët e Interit.
Edhe pse Messi ka deklaruar se nuk largohet nga Barça shpresa vdes e fundit aq më tepër që gjatë emergjencës së koronavirusit 6-herë fituesi i Topit të Artë ka patur probleme me drejtuesit e klubit blaugrana.