Kombëtarja e Shqipërisë tashmë ka njohur kundërshtarët e saj në Ligën e Kombeve, me të cilët do të masë forcat duke nisur që nga shtatori i ardhshëm.
Shorti rezervoi një grup të lehtë për “kuqezinjtë” e Edi Rejës, ku kundërshtarët nuk trembin me emra dhe kuqezinjtë shihen si favoritë për ta mbyllur të parët grupin. Ajo që vihet re është edhe diferenca e madhe në vlerën e Kombëtares shqiptare me përfaqësueset e tjera të grupit 4 në Ligën “D”.
“Kuqezinjtë” si asnjëherë më parë kanë kapur vlerën e 107.25 milionë eurove në treg, ndërsa një dorë të mirë në këtë rritje ka edhe talenti që po kërkohet nga shumë klube të njohura, Marash Kumbulla.
Së bashku me Strakoshën janë dy më të kushtueshmit te Shqipëria, teksa sipas “Transfermarkt” vlerësohen me 25 milionë euro secili.
Ndërkohë kundërshtarët e Kombëtares shqiptare në Ligën e Kombeve vlejnë shumë herë më pak, me Kazakistanin 32.85 milionë euro, Bjellorusinë 13.45 milionë euro dhe Lituaninë që kap shifrën e 9 milionë eurove.
E thënë ndryshe vetëm Strakosha dhe Kumbulla vlejnë në treg po aq sa të treja Kombëtaret të mbledhura së bashku. Diçka e vaçantë kjo, që do të thotë shumë për diferencat mes Shqipërisë dhe pjesës tjetër të grupit 4.