Kanë përfunduar dy përballjet e fundit të javës së 32-të në Superligën e Kosovës në futboll.
Prishtina ka shënuar fitore të madhe në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë ndaj Llapit.
Kryeqytetasit triumfuan 1:3 ndaj llapjanëve dhe kësisoj kanë bërë hap të madh drejt titullit. Golat për Prishtinën i kanë realizuar Makenda (15’), Bekteshi (42’) dhe Otto John (64’). Ndërkohë golin e nderit për vendasit e ka shënuar Aliu (19’).
Prishtina me këtë fitore rikthehet në vendin e parë në tabelë me 69 pikë, një më shumë se Drita dhe dy më shumë se Ballkani.
Llapi pozicionohet në vendin e pestë me 39 të tilla.
Ballkani në anën tjetër ka pësuar humbje shokuese në udhëtim te Drenica me rezultat të ngushtë 2:1.
Golat e fitores për “kuqezinjtë” i realizuan Uka (19’) dhe Denisson (50’), ndërsa për “portokallezinjtë” golin e vetëm e shënoi Zeka (51’).
Ballkani me këtë disfatë lëshon lidershipin dhe bie në pozitën e tretë me 67 pikë, teksa Drenica është e gjashta tani me 38 pikë.