Përfaqësuesja e Kosovës në konkurrencën e femrave, sonte, e ka zhvilluar stërvitjen e fundit në stadiumin “Brita Arena” në Wiesbaden, aty ku nesër në orën 18:00 do të ballafaqohet me Rusinë, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2021.
Dardanet stërvitjen e fundit e kanë kryer nëpër një rrebesh shiu, por që përkushtimi i tyre ka qenë maksimal. Si zakonisht stërvitja e fundit ka kaluar pa ndonjë ngarkesë të madhe, teksa përzgjedhësja Afërdita Fazlija i ka dhënë këshillat e fundit për lojtaret në fushën e gjelbër sa i përket anës taktike për ndeshjen e nesërme. Ndonëse përballë do të kemi një kombëtare me përvojë dhe shumë të fortë, Dardanet i hyjnë kësaj ndeshje me optimizëm për një paraqitje tjetër dinjitoze. Gëzon fakti se të gjitha futbollistet janë në gjendje të mirë dhe e presin të gatshme duelin e nesërm.
Pas stërvitjes së fundit përzgjedhësja Afërdita Fazlija është shprehur: “Realisht ekipi është në përgjithësi i gatshëm. E kemi parasysh se e kemi përballë një kundërshtar të respektuar dhe të renditur lartë sa i përket pjesëmarrjeve në kualifikimet për Kampionatin Evropian. Por, ne edhe pse jemi një prej ekipeve më të reja në këto kualifikime nuk do të jemi indiferent.
Kosova do të bëjë nesër më të mirën dhe shpresojmë që të kemi një rezultat pozitiv. E mira do të ishte të luajmë në Prishtinë, por duke pasur parasysh se edhe në Gjermani janë lajmëruar se do të kemi përkrahje të madhe do të mundohemi që këtë stadium ta shndërrojmë në ‘Fadil Vokrri’ dhe të japim më të mirën”.
Të rikujtojmë se ndeshja Kosovë – Rusi do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK.