Arbëria e Dobrajës po rrezikon shumë, si pasojë e borgjeve që ka ndaj ish-futbollistëve të saj.
Klubi elitar është gjobitur nga Federata e Futbollit të Kosovës me 1000 euro, por ky dënim mund të jetë edhe më i madh.
FFK ka njoftuar se në rast se Arbëria dhe disa klube nga Liga e Parë nuk i shlyejnë detyrimet financiare ndaj ish-futbollistëve atëherë rrezikojnë t’iu heqën pikët.
Njëri nga lojtarët që e ka paditur klubin është ish-mbrojtësi i tyre Arbnor Gashi.
Gashi në një prononcim për Gazetën Olle ka thënë se ka disa muaj që drejtuesit e klubit nuk i kanë kthyer përgjigje.
Mbrojtësi kosovar ka qenë pjesë e Arbërisë deri në janar, kur edhe është larguar nga klubi.
“Kam disa muaj që nuk po marr përgjigjje nga drejtuesit e klubit, nëse nuk më përgjigjen dhe nuk vendos asgjë as FFK atëherë do të shkoj edhe në instanca më të larta deri në FIFA”, ka deklaruar Gashi
Vlen të theksohet se Gashi më parë ka bërë karrierë edhe në disa skuadra kosovare si 2 Korriku, Trepça dhe Ulpiana.