Virgil van Dijk doli fuqishëm në mbrojtje të Liverpool-it, pas humbjes 2-0 ndaj Chelsea. Hollandezi tha se sezoni i “Reds” nuk mund të quhet i kompletuar vetëm duke fituar Premier League. Të kuqtë u eliminuan nga “FA Cup” të martën, por kanë vënë njërën dorë te titulli kampion në Angli. Jurgen Klopp dhe të tijtë kanë humbur tri nga katër ndeshjet e fundit, në të gjitha garat, por ende kanë avantazhin prej 22 pikësh në krye të Premier League, aty ku kanë lënë pikë vetëm në dy ndeshje, këtë sezon.
Pasi fitoi Botërorin e Klubeve dhe Superkupën Europiane për këtë sezon, Van Dijk mendon se është e pamundur të thuhet se sezoni i Liverpool nuk ka qenë i lavdishëm: “A jemi të justifikuar, nëse fitojmë vetëm titullin në Premier League? Mos harroni se ne kemi fituar edhe Superkupën dhe Botërorin e Klubeve në këtë sezon. Në jetë ka njerëz që nuk janë gjithmonë të kënaqur. Unë jam i prirur të përqendrohem te gjërat e mira. Jemi afër asaj, që ne të gjithë shpresojmë ta arrijmë (titulli në Angli).
Le ta sigurojmë titullin dhe ta shijojmë. Eliminimi në “FA Cup” ishte një goditje e madhe, por ne po luanim kundër një skuadre shumë të mirë. Le të përqendrohemi te sigurimi i titullit në Premier League, sepse na mbetet shumë pak për këtë. Unë mendoj se është e pamençur të thuash se Liverpool nuk shqetësohej për kupat. Për mendimin tim, çdo kompeticion në të cilin marrim pjesë, ne duam ta fitojmë. Ne e treguam këtë me formacionin dhe mënyrën si vazhduam të luajmë, energjitë që shpenzuam.
Ne u përpoqëm të bënim sa më shumë të ishte e mundur për të fituar ndeshjen. Mua nuk më pëlqen të humbas kurrë. Mënyra si humbëm në fundjavë ishte plotësisht e merituar. Ishte një ditë shumë e vështirë për të gjithë ne. Ndaj Chelsea bëmë një performancë shumë më të mirë, por nuk mjaftoi dhe jemi jashtë “FA Cup”. Ky është realiteti”.