Trajneri i Maqedonisë së Veriut: Te Kosova mendojnë se janë më të mirët në botë

Përzgjedhësi i Maqedonisë së Veriut, Igor Angelovski, ka pranuar se Përfaqësuesja e Kosovës ka potencial, por ka problem me mentalitetin.

Në një intervistë të mërkurën për gazetën serbe “Danas”, Angelovski ka folur për shumë gjëra, përfshirë edhe Përfaqësuesen e Kosovës. Në fakt, Kosova u mposht nga Maqedonia e Veriut në gjysmëfinale të plejofit të Ligës së Kombeve, të vlefshme për kualifikim në “Euro 2020” që do të mbahet këtë verë.

Në ndeshjen e luajtur në Shkup, në tetor të vitit të shkuar, Maqedonia e Veriut triumfoi me rezultatin 2:1 përpara se ta mposhtë edhe Gjeorgjinë në finale për t’u kualifikuar për herë të parë në histori në një kampionat evropian.

Megjithatë, Maqedonia e Veriut pati start të mirë edhe në eliminatoret për Kampionatin Botëror “Katari 2022” për dallim prej Kosovës, e cila në dy ndeshje të luajtura i pësoi dy humbje. U mposht në Prishtinë nga Suedia (3:0) përpara se të pësojë në udhëtim edhe nga Spanja (3:1) në kuadër të Grupit B. Në anën tjetër, Maqedonia e Veriut regjistroi dy fitore në tri ndeshje kualifikuese për t’u renditur e dyta në Grupin J me gjashtë pikë të mbledhura, tri më pak se Armenia që është lidere. Mirëpo, fitoren më të madhe muajin e shkuar në këto eliminatore Maqedonia e Veriut e arriti në Duisburg kur e mposhti Gjermaninë, me rezultatin 2:1. Kjo fitore, në fakt, është historike për Maqedoninë e Veriut që bën pjesë në Grupin C të “Euro 2020” së bashku me Holandën, Ukrainën e Austrinë. E kur është pyetur për mendimin e tij për Kosovën që është pjesëmarrëse në kualifikimet për Botërorin e vitit të ardhshëm, Angelovski ka zbuluar problemin e madh të “Dardanëve”. Ai ka thënë se te Kosova mendojnë se janë më të mirët në botë.

“Kanë potencial futbolli, por mendoj se problemi i Kosovës ka të bëjë me mentalitetin. Kam bindjen se ata mendojnë se janë më të mirët në botë dhe pastaj kur nuk e arrijnë rezultatin që e presin, atëherë pason një dëshpërim i madh”, ka deklaruar Angelovski.

Humbjet nga Suedia e Spanja në start të eliminatoreve për Botërorin “Katari 2022” kanë bërë që Kosova të zërë vendin e fundit në grup pa asnjë pikë. Grupit i prin Spanja me shtatë pikë, një më pak se Suedia që është e dyta.

Greqia renditet e treta me 2 pikë, kurse Gjeorgjia ka një pikë dhe zë vendin e katërt. Kjo është hera e dytë që përfaqësuesja e Kosovës po merr pjesë në kualifikime për Botëror. Kosova ka 11 humbje rresht në ndeshjet eliminatore për Botëror, duke llogaritur nëntë disfatat në kualifikimet për Botërorin “Rusia 2018”. Në 12 ndeshje në total, Kosova ka arritur vetëm një barazim 1:1 me Finlandën në ndeshjen debutuese në shtator të vitit 2016./Koha.net/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *