Nedim Bajrami zgjodhi të luajë për Shqipërinë, duke lënë ekipin U-21 të Zvicrës.
Mirëpo, një rregull i përditësuar në fillim të këtij viti nga FIFA e pengon djaloshin 22-vjeçar të vishet kuqezi, sepse pasi mbushi 21 vjeç, luajti edhe katër ndeshje me një ekip kombëtar (Zvicra U-21), çka përbën edhe pengesën ligjore për të luajtur me Shqipërinë.
Varësisht gjithçkaje ka ndodhur në korridoret sportive ndërkombëtare, me takime dhe biseda me njerëz të rëndësishëm dhe influencë ndërkombëtare, FSHF është duke përpiluar një dosje voluminoze për mesfushorin e talentuar.
“Panorama Sport” ka mësuar se shumë shpejt, FSHF do të ndërmarrë një çështje gjyqësore në CAS në lidhje me pengesën që FIFA ka për të mos e lejuar talentin të vishet kuqezi.
Gazeta ka mësuar se institucioni i futbollit në vend do të “luftojë” FIFA-n dhe rregullin e përditësuar prej saj, duke gjetur zgjidhje juridike. Nën drejtimin e një avokati të njohur, FSHF është duke kompletuar dosjen e origjinës së Bajramit, deri në nivelin e stërgjyshërve të tij.
Jo vetëm kaq, por edhe precedentë të ndryshëm sportivë do të përdoren gjithashtu që të mund të jetë një kërkesë sa më bindëse, që KAS të lejojë aktivizimin e 22-vjeçarit me Shqipërinë.