Policia e Valencias është duke e hetuar futbollistin shqiptar të Maqedonisë së Veriut, Enis Bardhi, për një patentë shoferë të falsifikuar.
Mesfushori 25-vjeçar i Levantes përballet me akuzë të falsifikimit të dokumentacionit dhe një krim kundër sigurisë rrugore pasi u ndalua gjatë vozitjes me veturën e tipit Porsche Panamera gjatë një kontrolli rutinë në qytet të hënën pasdite, shkruajnë mediumet spanjolle të martën.
“Mesfushori u ndalua në një kontroll rutinë rreth orës 13:20 pasditen e së hënës, kur po ngiste një Porsche Panamera. Pasi iu kërkua dokumentacioni i tij dhe patentë shoferi, një nga oficerët e policisë lokale verifikoi që dokumenti i dytë nuk ishte në përputhje me rregullat e sigurisë. Polici ishte në gjendje të verifikonte me sy të lirë se karta ishte shtypur në një formë karte plastike. Përveç kësaj, oficeri i policisë zbuloi se shenja të tjera të sigurisë mungonin pasi shqyrtoi nën dritë ultravioletë”, shkruan të martën “lasportivincias.es”.
Bardhi gjatë kontrollit, siç shkruan sajti spanjoll, ka treguar bashkëpunim me oficerët e policisë.
“Bardhi akuzohet për krim kundër sigurisë rrugore dhe për falsifikim dokumenti. Dokumentacioni do të dërgohet në gjykatë këtë javë. Oficerët e policisë lejuan që futbollisti të telefononte një mik me telefon për të marrë veturën dhe të mos obligohet të paguante tarifën e tërheqjes së automjetit”, raporton “lasportivincias.es”, sipas burimeve të policisë.
Bardhi vlerësohet një nga shtyllat e përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut dhe sezonet e fundit ka qenë lojtar kryesor i Levantes, që garon në La Liga të Spanjës. Ndonëse është zënë me një patentë shoferë të falsifikuar, Bardhi nuk është futbollist i konflikteve apo problematik qëkur iu bashkua Levantes.
Bardhi tregoi paraqitje të shkëlqyer për Maqedoninë e Veriut në fitoren historike kundër Gjermanisë me rezultatin 2:1. Ai te Levante u transferua në verën e vitit 2017 dhe është integruar plotësisht në qytet.
Këtë edicion për Levanten, mesfushori ka kontribuar me një gol dhe dy asistime në 18 ndeshje në La Liga. Para se t’i bashkohej në vitin 2017 Levantes, Bardhi karrierë bëri edhe tek Ujpesti në Hungari, Prespa Birliku i Suedisë, Shkupi dhe te të rinjtë e Brondbyt të Danimarkës.
“Një nga aspiratat e Bardhit është të marrë pjesë në Kupën e Botës vitin tjetër në Katar, nëse Maqedonia e Veriut arrin të kualifikohet. Hetimi policor është duke vazhduar dhe lojtari i Levantes do të duhet të përballet me pasojat kriminale në rast se konfirmohet falsifikimi i lejes së vozitjes”, shkruan tutje portali spanjoll.
Në vitin 2012, ish-lojtari i Valencias, Feghouli, ishte arrestuar për drejtim të veturës pa licencë në qytet, edhe pse çështja kundër algjerianit ishte arkivuar më vonë.