Milot Rashica do të kërkojë ta frymëzojë Werder Bremenin drejt gjysmëfinales së dytë radhazi në Kupën e Gjermanisë, duke e bërë atë që di ta bëjë më së miri në këtë garë; shënimin e golave, në përballjen e sotme kundër Eintracht Frankfurtit.
Werderi e viziton Frankfurtin në Commerzbank Arena, i vetëdijshëm se kupa është gara e vetme ku mund ta gjejë shpëtimi në një sezon shumë të dobët këtë edicion.
Skuadra e Florian Kohfeldt vjen në këtë takim në formë tmerrësisht të dobët, pasi i ka humbur pesë ndeshjet e fundit radhazi në Bundesligë, në një betejë tejet të vështirë për mbijetesë pasi renditet e parafundit në tabelë.
Por Werderi dhe Kohfeldt shpresat do t’i varin në asin e Kombëtares së Kosovës, Rashicën, i cili është në formë të jashtëzakonshme në këtë garë.
Ylli nga Vushtrria i ndihmoi Werderit të bëjë sensacion dhe ta mundë Borussia Dortmundin në 1/8 e finales për ta siguruar një vend në çerekfinale, duke e realizuar atë që ishte goli i gjashtë radhazi në po aq ndeshje në kupë.
Me atë gol, Rashica u fut në histori të klubit, duke u bërë futbollisti i parë në histori të Bremenit që i shënon gjashtë gola radhazi në Kupën e Gjermanisë.
23-vjeçari do të kërkojë ta vazhdojë serinë mbresëlënëse dhe t’ia sigurojë skuadrës së vet një vend në gjysmëfinale, në takimin që nis në orën 20:45.