Prishtina e ka mundur 3:2 Ferizajn të mërkurën mbrëma, duke e rikthyer te fitorja dhe duke e ruajtur hapin me Ballkanin në një luftë të nxehtë për titull në Ipko Superligë këtë sezon.
Ahmed Januzi me dy gola dhe Oto John me një i ndihmuan bardhekaltërve t’i fitojë tri pikë të plota në një mbrëmje me shi në stadiumin Fadil Vokrri në kryeqytet, ku Ferizaj për pak sa nuk shkaktoj tronditje por dy golat e vonshme nuk i mjaftuan për ta arritur këtë, raporton GE.
Për Ferizajn, kjo disfatë nënkupton një hap tjetër mbrapa në përpjekje për të mbijetuar në Superligë, pasi tani ferizajasit kanë 22 pikë në vendin e 10-të, tri më pak se se vendi i tetë, Flamurtari, i cili megjithatë e ka një ndeshje më pak të zhvilluar.
Klubi nga kryeqyteti po vinte në këtë takim nga një barazim pa gola me liderin Ballkanin në fundjavë, pas një loje zhgënjyese.
Januzi i kaloi bardhekaltrit në epërsi në minutën e fundit të pjesës së parë, duke u treguar i saktë nga penalltia.
Vetëm pesë minuta brenda pjesës së dytë, Januzi shënoi përsëri duke e dyfishuar epërsinë e Prishtinës, falë një asisti nga Hila.
John i dha goditjen përfundimtare vizitorëve duke shënuar për 3:0 në portën boshe, para se Albin Krasniqi të shënonte për Ferizajn 12 minuta më vonë.
Prishtinës i humbi përqendrimi në fund dhe pranoi edhe një gol, kur Taulant Dajaku shënoi nga topi i kthyer pas penalltisë që ia kishte mbrojtur Visar Bekaj.
Tashmë ishte tepër vonë për Ferizajn për të bërë një rikthim tronditës.